Maqedoni

Qoku i ashpër ndaj Snopçes: Mendësia që e trajton Kosovën si problem ende nuk ka vdekur

Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, i është kundërpërgjigjur deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, pas deklaratave të këtij të fundit gjatë debatit politik.

Në reagimin e tij, Qoku shprehet i pezmatuar nga niveli i diskursit politik, duke thënë se ende ka individë që përpiqen ta përdorin Kosovën si mjet për diskreditim politik.

“Sot u pezmatova pak kur pashë se deri në çfarë niveli mund të degradojë njeriu, sa poshtë mund të shkojë. Dikur, në kohën e Jugosllavisë, fjala Kosovë përdorej si gogol. Mjaftonte të të lidhnin me Kosovën që të të etiketonin si nacionalist apo irredentist”, ka shkruar Qoku.

Sipas tij, Snopçe është përpjekur ta diskreditojë duke e quajtur “deputet të majtë në Kosovë”, sikur kjo të përbënte një akuzë.

Qoku ka rikujtuar edhe raste të tjera kur, sipas tij, lidhjet me Kosovën janë përdorur për sulme politike ndaj tij. Ai përmendi se gjatë një procesi gjyqësor, Ramiz Merko kishte deklaruar se ai kishte lidhje me Kosovën dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Po ashtu, tha se edhe përfaqësues të Levica e kishin akuzuar në Kuvend se posedon shtetësi të Kosovës, pretendim që ai e mohon.

“Është për të ardhur keq që edhe sot, në vend të argumenteve, disa njerëz vazhdojnë të përdorin Kosovën si etiketë për diskreditim. Për mua, lidhja me Kosovën nuk është akuzë, por nder”, ka përfunduar Qoku në reagimin e tij.

Exit mobile version