Opinione

Hysamedin Feraj ironizon qeverinë për protestat në Zvërnec: Po kërkohen fajtorë kudo, përveç te projekti

Politologu, akademiku dhe veprimtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysamedin Feraj, ka reaguar me ironi lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec.

Përmes një postimi publik, Feraj ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po interpretohen arsyet e kundërshtimeve ndaj projektit, duke renditur me sarkazëm disa prej pretendimeve që, sipas tij, po përdoren për të justifikuar protestat.

Ai shkruan se protestat po paraqiten si të nxitura nga Rusia për shkak të investitorëve rusë, nga islamikët për shkak të investitorëve nga Katari, nga Greqia për shkak të zhvillimit të Nartës, nga të rinjtë shqiptarë që nuk duan punësim, madje edhe nga kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas Ferajt, nga të gjitha këto shpjegime, përshtypja që krijohet është se qeveria mbetet “ortakja” e vetme që ka nisur të përfitojë nga projekti, të paktën duke siguruar, siç shprehet ai me ironi, vazhdimësinë e pushtetit dhe vendeve të punës për drejtuesit e saj.

Reagimi i Ferajt vjen në kohën kur debati mbi projektin në Zvërnec dhe kundërshtimet e qytetarëve ndaj tij vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në Shqipëri.

Exit mobile version