SPAK ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit. Prokuroria e Posaçme po verifikon një skemë të dyshuar për tjetërsimin dhe përvetësimin e pronave në këtë zonë bregdetare.
Një nga administratorët e kompanisë, Redi Struga, i është nënshtruar kontrollit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas të dhënave paraprake, Struga ka shërbyer si ndërmjetës mes kompanisë dhe vëllezërve investitorë nga Katari, të përfshirë në projektet e zhvillimit në zonë.
Në qendër të hetimit ndodhet Artur Shehu, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas dyshimeve të SPAK-ut, Shehu mund të ketë luajtur një rol kyç në drejtimin e skemës së pretenduar të tjetërsimit të pronave në Zvërnec.
Hetimet janë në vijim dhe pritet që SPAK të hedhë më shumë dritë mbi mekanizmin e dyshuar të përfitimit dhe transferimit të pronave, si dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në këtë çështje.

