Botë Lajme

Sulmi me dronë në Rumani, presidenti Dan mbyll konsullatën ruse! Zyrtari rus shpallet non grata

Një dron rus goditi një ndërtesë apartamentesh në Rumaninë lindore herët të premten, sipas autoriteteve, duke shkaktuar një reagim të shpejtë dhe të ashpër nga NATO dhe Bashkimi Evropian.

Ngjarja ndodh në një kohë kur rriten frikërat se Rusia mund të përpiqet ta zgjerojë luftën përtej Ukrainës dhe të shënjestrojë një vend anëtar të aleancës së sigurisë NATO.

Ministria e Jashtme e Rumanisë tha se droni kishte qenë i përfshirë në një sulm gjatë natës në Ukrainë, por kishte rënë mbi një ndërtesë apartamentesh në Galati të Rumanisë, duke shkaktuar zjarr. Dy persona u plagosën dhe disa të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore.

Ministria tha se kishte informuar NATO-n për “shkeljen serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe të hapësirës së saj ajrore” dhe kishte kërkuar që aleanca të përshpejtojë dërgimin e kapaciteteve kundër dronëve.

Ndërkohë, mbledhja e Këshillit Suprem për Mbrojtjen Kombëtare, CSAT, ka përfunduar. Diskutimet zgjatën dy orë e gjysmë, dhe Presidenti Nicusor Dan mbajti një konferencë për shtyp dhe shpjegoi masat e marra. Ndër to, Konsullata Ruse në Konstancë do të jetë e mbyllur.

Deklarat e plotë e presidentit:

Patëm një incident të rëndë, në të cilin u plagosën dy qytetarë rumunë dhe përgjegjësia e plotë për këtë incident i takon Rusisë, një vend që prej më shumë se katër vitesh po zhvillon luftë kundër Ukrainës.

Për shkak të kësaj situate, konsulli i përgjithshëm i Rusisë në Konstancë është shpallur persona non grata dhe Konsullata e Përgjithshme e Rusisë në Konstancë do të mbyllet.

Vërej papërgjegjshmërinë e disa liderëve politikë rumunë, të cilët po përpiqen të justifikojnë Rusinë për këtë incident. Qytetarët rumunë mund të shohin qartë se kush është pro-perëndimor dhe kush vetëm pretendon se është i tillë.

Kishim të bënim me një dron rus Geran-2. Ai u nis nga Rusia, ne e dimë trajektoren e tij, e dimë rrugën që ndoqi nëpër Ukrainë dhe vendin ku hyri në territorin e Rumanisë. Ai ishte pjesë e një grupi prej 43 dronësh rusë, nga të cilët vetëm një përfundoi në territorin rumun.

Faleminderit për solidaritetin e partnerëve tanë në Bashkimin Europian dhe NATO. Kjo dëshmon se ekziston unitet dhe solidaritet euro-atlantik.

Sa i përket kapaciteteve të Rumanisë për t’u përballur me incidente të tilla, dua t’ju informoj se në kuadër të programit SAFE kemi një komponent të dedikuar për aftësi kundërajrore që i përgjigjen këtyre lloj kërcënimeve. Kontratat po nënshkruhen këto ditë dhe pajisjet do të dorëzohen brenda një ose dy vitesh.

Gjithashtu kemi një partneritet me Ukrainën, të nënshkruar tre muaj më parë, për prodhimin e përbashkët të dronëve. Programi SAFE dhe bashkëpunimi me Ukrainën kanë elementë të përbashkët.

Ne kemi gjithashtu një mekanizëm të përbashkët me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar për përshpejtimin e prodhimit dhe testimit të dronëve, si dhe të sistemeve kundër dronëve.

Derisa këto pajisje të dorëzohen, kemi marrëveshje dypalëshe dhe në kuadër të NATO-s që pajisje të tilla të jenë të pranishme në Rumani. Disa tashmë kanë mbërritur, ndërsa të tjera pritet të vijnë së shpejti.

Në bisedën që pata me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, theksuam urgjencën e situatës dhe ai ra plotësisht dakord që këto pajisje të mbërrijnë në Rumani sa më shpejt të jetë e mundur.

Në mbledhjen e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Vendit diskutuam edhe mbrojtjen civile. Reagimi i autoriteteve gjatë natës së kaluar ishte shumë i shpejtë dhe ministri i Brendshëm paraqiti masat e marra për të gjithë zonën potencialisht të prekur, përfshirë shtimin e personelit dhe masave të sigurisë.

Tema e trajtuar në mbledhjen e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Vendit lidhej me dronin rus Geran-2 që goditi një pallat banimi në Galați. Ky konsiderohet incidenti më i rëndë i ndodhur në Rumani që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Exit mobile version