Botë Lajme

Rusia goditi me dron Rumaninë, reagon Kreu i NATO-s: Jemi gati të mbrojmë çdo centimetër

Një dron rus ka goditur një bllok apartamentesh në qytetin Galați në Rumani, duke shkaktuar zjarr në katin e 10-të të ndërtesës dhe duke plagosur dy persona.

Ngjarja ndodhi pranë kufirit lindor të Rumanisë me Ukrainën dhe Moldavinë, një zonë që shpesh është prekur nga sulme ajrore gjatë luftës në Ukrainë.

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e cilësoi incidentin si “më seriozin që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës”, duke thirrur menjëherë Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare.

Ndërkohë NATO e dënoi incidentin si një akt të “pakujdesshëm”, ndërsa theksoi nevojën për forcim të mbrojtjes ajrore në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka dënuar “sjelljen e pamatur të Rusisë” si një rrezik për të gjithë anëtarëte aleancës.

Rutte thotë se e ka siguruar Presidentin rumun Nicuşor Dan se NATO “është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat”.

Ai shton në një postim në X se “Rusia vazhdon të sulmojë civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën dhe mbrëmë tregoi edhe një herë se implikimet e luftës së tyre të paligjshme të agresionit nuk ndalen në kufi”.

Rutte thotë se NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën kundër agresionit të Rusisë.

Exit mobile version