Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se nga sot janë ndalur edhe strukturat paralele të Hekurudhave të Serbisë, ndërsa Infrakosi ka marrë nën kontroll pronën e vet, përkatësisht stacionet hekurudhore në komunat veriore të Kosovës.
Sipas saj, ky veprim vjen pas angazhimeve të ndërmarrjeve publike si Ibër Lepenci, Posta, Telekomi dhe Ujësjellësi i Mitrovicës, të cilat kanë shtrirë shërbimet ose kanë ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për funksionim në veri të vendit.
Rizvanolli theksoi se ndërmarrjet publike që kanë aksionar Qeverinë e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të marrë nën kontroll asetet e tyre në çdo pjesë të territorit të vendit.
“Qëllimi është ofrimi i shërbimeve publike cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët, pa dallim”, ka shkruar ajo.
Postimi i Plotë:
Nga sot, edhe strukturat paralele të Hekurudhave të Serbisë janë ndalur e Infrakosi ka nën kontroll pronën e vet, përkatësisht stacionet hekurudhore në komunat veriore të vendit.
Kjo pasi ndërmarrjet publike Ibër Lepenci, Posta, Telekomi dhe Ujësjellësi i Mitrovicës, kanë bërë të njëjtën dhe/ose ndërtuar infrastrukturën për të ofruar shërbime në komunat veriore.
Ndërmarrjet publike që e kanë aksionar Qeverinë e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të marrë nën kontroll asetet veta në çdo cep të vendit dhe për të shtrirë shërbime publike cilësore e të sigurta për të gjithë qytetarët, pa dallim.

