Opinione

Drenica nuk është në fakt as e Sami Lushtakut, as e Baton Haxhiut

Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi

Eksponentë të politikës, të lidhur me Sami Lushtakun dhe Partinë Demokratike të Kosovës, këto ditë, pas dhunës kundër kreut të VV për këtë regjion, e kanë krahasuar prezencën e trupave policore në Skënderaj me atë të kohës së Milosheviçit. Djali deputet i Lushtakut thoshte se Drenicën nuk e kanë shtruar forcat e Milosheviçit dhe jo ta nënshtrojnë forcat speciale, sipas tij të Albin Kurtit.

Kapardisja për mosnënshtrim ndaj institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovë është në fakt sfidë ndaj shtetit dhe të drejtës së tij për sovranitet. Dikush që kundërshton respektimin e sovranitetit shtetëror, si ky djali i Sami Lushtakut, i cili është edhe ligjvënës, nuk bën asgjë më shumë sesa plotësimin e dëshirës së mbetjeve të Milosheviçit në Serbi. Serbia është ajo që nuk dëshiron shtet në Kosovë. Në Beograd duartrokasin kur “të fortët” e Kosovës kundërshtojnë autoritetet e shtetit dhe sfidojnë zbatimin e ligjit.

Në video kemi parë sesi sillet vetë Sami Lushtaku në prezencë të trupave policore e madje se si këto trupa e “respektojnë” atë, pavarësisht shkeljes së ligjit dhe dhunës që ai ushtron kundër përfaqësuesve të shtetit dhe të politikës në Kosovës, kundërshtarë të tij. Kemi parë ,mburrjet dhe arrogancën e Lushtakëve dhe jo pak personave të tjerë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Këta të fortët e Drenicës thirren në emër të luftës, në emër të “veprave patriotike” për lirinë e Kosovës. Mburren dhe tregojnë gjoksin për ato që kanë bërë në luftë. Madje mburret edhe Baton Haxhiu, kur tregon se si ishte takuar me Stanishiqin, një prej kriminelëve më të rrezikshëm të genocidit serb në Kosovë. Dhe në këtë rast kemi dy pamje: – Një pamje me mburrje për kontributet në luftë të Sami Lushtakut dhe një tjetër është ajo e mburrjeve për marrëdhëniet e ngushta të Batonit me eksponentë të shërbimit sekret të Serbisë.

Ajo që është më e çuditshmja lidhet me faktin se të dy palët janë në aleancë. Njëra palë thotë se ka bërë luftën dhe tjetra në fakt ka qenë kundër luftës. E të dyja këto skalione thirren në Drenicën së bashku kundër qeverisjes së Albin Kurtit. Ky është paradoksi i parë. Duket se të dy këto palë duan ta identifikojnë krahinën më të njohur të patriotizmit në shqiptari me veten e tyre. Samiu me “heroizmat” e tij kundër Milosheviçit dhe Batoni me shërbimet e tij pro Milosheviçit. Të dy palët duan të jenë faktorë deri anti-shtetërorë. Samiu sfidon shtetin dhe e quan kryeministrin e vendit si “Milosheviçin e Kosovës”. Batoni bën thirrje publike për dhunë me qëllim likuidimin e Albin Kurtit. Të dy thirren në shkelje të ligjit dhe spekullojnë me Drenicën martire dhe njëkohësisht heroike.

Drenica nuk është në fakt as e Sami Lushtakut, as e Baton Haxhiut. Drenica është parasëgjithash e heronjve dhe dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e Kosovës. Eshtë e Adem Jasharit dhe e Shaban Palluzhës. Eshtë Drenica e Shotës dhe Azem Bejtës. Eshtë Drenica që ka frymëzuar breza të panumërt të shqiptarëve në Kosovë për qëndresë dhe liri kundër sundimit dhe pushtimit të Beogradit. Nuk ka fshat dhe lagje të Drenicës, që të mos ketë gdhendur në histori një ngjarje të jashtëzakonshme në shërbim të shqiptarëve dhe kombit shqiptar. Adem Jashari është emblema e kësaj qendrese, është shembulli i papërsëritshëm në historinë e njerëzimit.

Edhe po t’i shohësh praktikisht marrëdhëniet midis Jasharëve dhe cubave si Lushtaku, e kupton lehtësisht se Drenica nuk është e Sami Lushtakut. Nuk është as e spiunëve të Serbisë, të cilët nuk kanë qenë të paktë në Drenicë. Dhe është normale që pushteti serb të investonte në këtë krahinë aq shumë, sepse Drenica ishte për Beogradin shqetësimi kryesor, aq sa kasapi i Ballkanit, Milosheviç, i thoshte gjeneralit Wesli Clarc një ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë: – Oh gjeneral Clarc, na lini ne ta zgjidhim problemin me shqiptarët në Kosovë. Ne dimë ta bëjmë këtë. E kemi bërë disa herë. Në vitin 1944-1945 ne vramë mijëra prej tyre në Drenicë dhe e zgjidhëm për disa dekada këtë problem -! Por Milosheviçi nuk e vrau Batonin. Nuk mund të them pse nuk u vra Sami Lushtaku! Megjithatë ata nuk janë gjallë për ta sfiduar shtetin e Kosovës, as për ta grabitur Kosovën. Ata janë gjallë dhe nëse duan të jenë patriotë, duhet ta respektpjnë shtetin. Nëse Samiu ka luftuar për ta grabit Kosovën dhe sfiduar shtetin, siç e ka sfiduar disa herë pas luftës, atëherë kjo luftë është me hile, nuk është bërë për Kosovën, por për t’u pasuruar në emër të saj. Në këtë rast i duhet kujtuar ajo sentenca, sipas së cilës: – Jepjani faturën e luftës që keni bërë për Kosovën qeverisë dhe është më mirë që ajo ta shlyejë këtë faturë dhe Samiu me shokë të heshtin përgjithmonë e t’i nënshtrohet ligjit!

Exit mobile version