NATO ka ngritur avionë luftarakë në Poloni pas një vale të re sulmesh me dronë nga Rusia ndaj Ukrainës.
Masa u mor për sigurinë e hapësirës ajrore pranë kufirit ukrainas, ndërsa sulmet u shtuan pas përfundimit të një armëpushimi të shkurtër të shpallur nga Moska.
Ushtria polake njoftoi se në gatishmëri janë vendosur avionë luftarakë, helikopterë, sisteme kundërajrore dhe radarë për të monitoruar situatën.
Sulmet ruse kanë goditur disa qytete në perëndim të Ukrainës.
Në qytetin Lutsk raportohet për viktima dhe të plagosur, ndërsa autoritetet kanë mbyllur qendrën e qytetit pas shpërthimeve. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje që tregojnë një dron rus duke goditur një ndërtesë.
Ka raportime se mund të jetë goditur një objekt shtetëror, por nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në rajonin Rivne, një sulm ndaj një pallati la dy të vdekur dhe katër të plagosur.
Në qytetin Kryvyi Rih, një foshnjë 9 muajshe mbeti e plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në spital.
Ndërkohë, Rusia kërkon që Ukraina të tërheqë trupat nga pjesë të rajonit Donetsk që kontrollohen nga Kievi, si kusht për bisedime dhe armëpushim. Ukraina e ka refuzuar këtë kërkesë dhe nuk pranon të lëshojë territor.

