Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se çështja e pagave kalimtare për deputetët mbetet e rregulluar me ligj, por sipas saj nuk është e drejtë që një deputet që mund të mos e ushtrojë mandatin as gjashtë muaj e të përfitojë pagë kalimtare deri në një vit pas shpërndarjes së legjislaturës.
Haxhiu këtë e tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi të mbahej për shkak të mungesës së kuorumit.
Haxhiu tha se në takim kanë qenë të pranishëm vetëm ajo dhe nënkryetarja Emilija Rexhepi, ndërsa mungesa e anëtarëve të tjerë ka pamundësuar trajtimin e pikave të parapara në rendin e ditës, përfshirë raportin e shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2025.
“Si rezultat nuk kemi pasur kuorum për trajtimin e këtyre çështjeve në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Haxhiu, duke shtuar se disa prej anëtarëve mund të jenë të angazhuar me çështje të tjera, përfshirë listat zgjedhore dhe angazhime jashtë vendit.
Duke folur për situatën politike pas shpërndarjes së Kuvendit, ajo ka theksuar se ekziston një ligj që përcakton pagat kalimtare për deputetët, por ka vlerësuar se është e nevojshme të shqyrtohen ndryshime ligjore në të ardhmen, nëse ka iniciativa në këtë drejtim.
“Është çështje diskutuese më pas nëse është e drejtë apo jo, sepse nuk ka kuptim që një deputet të mos mbajë këtë post as gjashtë muaj dhe të marrë pagë kalimtare një vit sa e parasheh legjislacioni në fuqi. Unë jam e gatshme në të ardhmen që nëse ka iniciativa që dëshirojnë t’i ndryshojnë këto rregullime ligjore që ne kemi gjetur prej kohësh këtu, jemi shumë të hapur që t’i diskutojmë. Nuk është e drejtë, por është e bazuar në legjislacionin në fuqi. Për mua nuk është e drejtë”, është shprehur ajo.
Haxhiu gjithashtu foli edhe për çështjen e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se qëndrimi i saj dhe i subjektit politik që përfaqëson ka qenë që ndarja e vendeve të bëhet në bazë të fuqisë politike dhe parimit të proporcionalitetit.
Sipas saj, në rrethanat aktuale nuk ka nevojë për ngutje në ndryshimin e përbërjes së KQZ-së.

