Kosovë Lajme

Zyrtare: PDK-ja e lë jashtë Limajn

Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ka kumtuar lajmin.

Hamza ka thënë se mirëpresin kontributin e Limajt dhe Nismës Socialdemokrate për Partinë Demokratike për zgjedhjet e 7 qershorit. Por, ka thënë se kësaj radhe në listë s’do të jenë pjesë asnjë nga anëtarët e Nismës, si pjesë e një marrëveshje politike.

“E presim dhe e mirëpresim kontributin që do të japë Fatmir Limaj dhe Nisma Socialdemokrate… Kësaj radhe nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, ka thënë Hamza. “Sigurisht se z. Limaj në të ardhmen, në procese të rregullta të brendshme zgjedhore, është i mirëpritur të jetë pjesë e PDK-së. Sa i përket garimit në këtë listë, është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, vullnet i mirë nga ana e Nismës Socialdemokrate, pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrë të duhur. Kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së”.

Ai tha se Limaj në letrën që ia ka dërguar nuk ka kërkuar që të jetë i përfshirë në listë.

Hamza ka thënë se një pjesë e madhe e kandidatëve që do të jenë në listë të PDK-së do të garojnë për herë të parë për deputetë.

Ndaj vendimit të kryesisë së PDK-së, ka reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai e quajti ripërsëritje të ndikimit.

“U ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së. Kreatorët e kësaj fryme, nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së. Për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në Listë, janë ata që nuk patën guxim të ballafaqohen me pozitën dhe qytetarin ndër vite. Anëtarësia e gjerë, simpatizantët dhe qytetarët, do të jenë në përkrahje të PDK-së, të heronjve tanë të luftës e paqes dhe të Bedri Hamzës!”, ka thënë Lladrovci në reagimin e tij në Facebook.

Hamza para mediave i është përgjigjur reagimit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai tha se kryetari Lladrovci nuk është anëtar i Kryesisë por vetëm i Këshillit.

“Kryetari Lladrovci është anëtar i Këshillit por nuk është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Hamza pa e komentuar qëndrimin e Lladrovcit.

Exit mobile version