Kosovë Lajme

Ministrja Kusari-Lila ka prezantuar prioritetet e Kosovës në zhvillimin industrial dhe investimet në St. Gallen Symposium 2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në edicionin e 55-të të St. Gallen Symposium 2026 në Zvicër, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare që bashkon liderë nga politika, ekonomia dhe akademia për të diskutuar zhvillimet globale dhe sfidat që po ndikojnë ekonomitë dhe shoqëritë në mbarë botën.

Tema e sivjetme e forumit, Disrupted Age, trajtoi transformimet globale në fushën e gjeopolitikës, teknologjisë dhe ndryshimeve demografike, ndërsa ministrja Kusari-Lila, në këtë forum, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në diskutime të tilla ndërkombëtare për të prezantuar perspektivën e vendit dhe forcimin e rolit të Kosovës në proceset globale dhe ekonomike.

Në kuadër të kësaj vizite në Zvicër, ministrja Kusari-Lila zhvilloi edhe një takim bilateral me ministren e Financave të Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, me të cilën ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Gjatë takimit është theksuar se ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s pritet të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve. Po ashtu u diskutua edhe për zhvillimin e infrastrukturës industriale në Kosovë, promovimin e investimeve dhe rëndësinë e partneritetit me shtete mike për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Kusari-Lila ka vlerësuar edhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se zhvillimi industrial dhe forcimi i prodhimit vendor mbeten të rëndësishme për ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në kuadër të St. Gallen Symposium, ministrja Kusari-Lila ka marrë pjesë edhe në panelin ku është diskutuar për temën “Fuqia e politikës përballë politikës së fuqisë – Ruajtja e interesave strategjike në një botë të re”, ku kanë qenë pjesëmarrës ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Kelly Craft, ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Kęstutis Budrys dhe ministrja e Informacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë të Namibisë, Emma Theofelus.

Exit mobile version