Gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me Kryeministrin e Republikës së Finlandës, Petteri Orpo.
Në takim, Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës, në veçanti për përkrahjen e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për mbështetjen për avancimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohjen edhe për bashkëpunimin dhe ndihmën e Finlandës në luftimin e dezinformimit, duke e cilësuar atë si element kyç për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe informimit publik të saktë.
Gjatë takimit u veçua përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si një model i avancuar i organizimit të shtetit dhe shoqërisë përballë sfidave të sigurisë, model ky që ka miratuar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në përmbyllje, të dy kryeministrat riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

