Maqedoni

Bekim Qoku: E vërteta e 22 viteve e dëmton Ali Ahmeti, jo Albin Kurti

Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ndaj deklaratave dhe sulmeve të fundit të Ali Ahmetit në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se problemi kryesor i Ahmetit nuk është Kurti, por bilanci i tij politik ndër vite.

Sipas Qokut, për më shumë se dy dekada në pushtet, Ahmeti dhe subjekti i tij politik nuk kanë arritur të realizojnë projekte madhore infrastrukturore dhe zhvillimore në zonat me shumicë shqiptare. Ai përmendi mungesën e investimeve kapitale, si dhe dështimin për ndërtimin e rrugës Shkup–Bllacë dhe realizimin e Korridorit 8.

Në reagim theksohet se gjatë kësaj periudhe janë shfaqur afera të shumta dhe raste të lidhura me korrupsionin, ndërsa bashkëpunëtorë të afërt të Ahmetit janë përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qoku gjithashtu kritikoi qëndrimet e Ahmetit në raport me zhvillimet rajonale, duke përmendur se ai nuk është distancuar nga iniciativa Ballkani i Hapur dhe se përfaqësues të tij institucionalë kanë pasur qasje më të afërt me Serbinë sesa me Kosovën.

Sipas tij, një ndër dështimet më të mëdha mbetet edhe mosrealizimi i plotë i të drejtave gjuhësore për shqiptarët, si dhe mungesa e politikave që do të ndalonin emigrimin masiv të qytetarëve shqiptarë nga vendi.

Në fund të reagimit, Qoku thekson se para se të adresohen kritika ndaj Kosovës apo udhëheqësve të saj, duhet të ketë përgjegjësi për qeverisjen shumëvjeçare dhe rezultatet konkrete brenda vendit.

Exit mobile version