Shqipëri

Digjet në atmosferë sateliti “Albania 1”, rikthehen pikëpyetjet për transparencën dhe efektivitetin e projektit

Sateliti “Albania 1”, i prezantuar si pjesë e strategjisë për mbikëqyrjen satelitore të territorit, ka përfunduar misionin e tij pasi është djegur në atmosferë më 29 janar 2026.

Lajmi është bërë publik nga eksperti i teknologjisë Besmir Semanaj, i cili ka ngritur shqetësime mbi mungesën e transparencës institucionale lidhur me këtë projekt.

“Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshuan në hapësirë më 3 janar 2023 nga Cape Canaveral, në kuadër të një marrëveshjeje rreth 6 milionë dollarë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Satellogic USA Inc..

Në kohën e prezantimit, projekti u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të monitorimit të territorit, me synim identifikimin e ndërtimeve pa leje, kultivimit të kanabisit, zjarreve dhe çështjeve të sigurisë mjedisore e kufitare. Autoritetet kishin premtuar se teknologjia satelitore do të siguronte të dhëna në kohë reale për institucionet, duke ndikuar në vendimmarrje më efikase.

Megjithatë, sipas Semanajt, përfundimi i ciklit të “Albania 1” nxjerr në pah mungesën e raportimit konkret mbi përfitimet reale dhe kostot e projektit.

Ai thekson se deri më tani nuk ka një shifër të qartë për koston përfundimtare dhe mungojnë raportet zyrtare mbi rezultatet: sa ndërtime pa leje janë zbuluar, sa parcela kanabisi janë identifikuar dhe sa raste zjarresh janë menaxhuar falë këtyre satelitëve.

Debati publik është rikthyer sërish rreth këtij projekti, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet do të reagojnë me një qëndrim zyrtar dhe një bilanc të detajuar mbi efektivitetin e tij.

Exit mobile version