Rajon

Bashkimi Evropian pezullon pagesat për Serbinë

Bashkimi Evropian ka pezulluar pagesat e mbështetjes financiare për Serbinë, sipas Planit Evropian të Zhvillimit, për shkak të pengesave në funksionimin e gjyqësorit.

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, njoftoi se fondet do të mbeten të ngrira derisa Beogradi të korrigjojë problemet e identifikuara në sistemin gjyqësor.

“Në këtë pikë, ne kemi pezulluar të gjitha pagesat për Serbinë sipas planit të zhvillimit, sepse po shohim përsëri një pengesë në sistemin gjyqësor. Derisa kjo të korrigjohet, vendi nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetje financiare nga BE-ja.”

Ky vendim vjen në një kohë kur brenda institucioneve të Bashkimit Evropian po zhvillohen diskutime të intensifikuara për vazhdimin e mbështetjes financiare për Serbinë dhe progresin e saj në rrugën evropiane.

Sipas disa raporteve, BE-ja po shqyrton gjithashtu mundësinë e bllokimit të rreth 1.5 miliardë eurove ndihmë për Serbinë, duke përfshirë si një faktor ndikues marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë.

Exit mobile version