Kosovë Lajme

Kurti: Kosova është më e fortë se kurrë – kurrë më askush nuk guxon që të na e mësyjë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Prokuroria dhe Gjyqësori duhet të nxitojnë e veprojnë lidhur me rastet e krimeve të luftës, meqë dëshmitarët po plaken dhe po vdesin.

Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë, Kurti tha se ka përparime sa i përket edhe zbardhjes së fatit të të pagjeturve të zhdukur me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë.

Ai deklaroi se Kosova është më e fortë se kurrë dhe se ushtria dhe policia janë në nivel të lartë si për nga aftësitë, ashtu edhe nga madhësia, duke theksuar se “kurrë më askush nuk guxon të na e mësyjë”.

“Kosova është më e fortë se kurrë. Ushtria dhe Policia edhe për nga aftësitë, edhe për nga madhësia, janë në nivel të lartë dhe kurrë më askush nuk guxon që të na e mësyjë për të vrarë pleq e fëmijë, gra e burra, të rinj e të reja, siç është bërë në luftën e fundit në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se duhet nxitim që të ketë sa më shumë drejtësi për viktimat.

“Duhet bëhet më shumë nga Prokuroria dhe Gjyqësori. Duhet të veprohet më shpejt nga Prokuroria dhe gjyqësori për shkak se njëmend dëshmitë materiale janë këtu, mirëpo në anën tjetër dëshmitarët po mplaken, shumë prej tyre po ndërrojnë jetë, prandaj ne na duhet që të nxitohemi që të kemi sa më shumë drejtësi për viktimat tona”, ka thënë Kurti.

Exit mobile version