Publicisti Kim Mehmeti ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje për herë të pestë.
Në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1, Mehmeti tha se situata e krijuar u ka shkuar më shumë për shtati partive opozitare, përfshirë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas tij, pritjet që Vjosa Osmani do t’i sjellë vota LDK-së janë të pabazuara.
“Ata kishin një qëllim – të shkohet në zgjedhje. Posaçërisht këtu mori shumë hov LDK-ja kur u dhanë sinjalet që Vjosa mund të shkojë te ata, të bindur që ajo do t’ia sjellë një thes vota. Unë mendoj që nuk do t’i sjellë asgjë, sepse edhe loja e tepërt njëherë me këtë e njëherë me atë shpërfaq vetëm një njeri që ka vetëm një ideal – idealin që unë të jem i ulur në kolltuk të butë”, ka thënë Mehmeti.
Ai kritikoi gjithashtu zhvillimet politike, duke lënë të kuptohet se lëvizjet e figurave politike nuk garantojnë domosdoshmërisht mbështetje elektorale.

