Kosovë Lajme

Haxhiu takon sot partitë politike për datën e zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë politike për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi pritet të mbahet sot në orën 15:00. Një ditë më parë, ajo është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, me të cilin ka diskutuar për organizimin e procesit zgjedhor që duhet të zhvillohet brenda 45 ditësh. KQZ-ja ka kërkuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Të martën, në mesnatë u shpërnda legjislatura e dhjetë e Kuvendit, pasi dështoi ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

7 qershori është afati i fundit për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes ka kohë 10 ditë për të caktuar datën, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i u.d. presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë”, ka theksuar Eugen Cakolli, menaxher i Programit në Institutin Demokratik të Kosovës.

Zgjedhjet e radhës do të jenë të tretat parlamentare dhe të pestat në përgjithësi në 16 muajt e fundit.

Exit mobile version