Botë Lajme

Palestinezët votojnë për herë të parë që nga fillimi i luftës

Palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Gaza po dalin sot në votime për të zgjedhur kryetarë komunash dhe këshilla bashkiake, në zgjedhjet e para që nga fillimi i luftës në Gaza. Këto zgjedhje zhvillohen në një atmosferë zhgënjimi të gjerë dhe me mundësi të kufizuara zgjedhjeje.

Rreth 1.5 milion njerëz janë regjistruar për të votuar në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa rreth 70 mijë në zonën Deir el-Balah në Gazë, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor me seli në Ramallah.

Shumica e listave zgjedhore janë të lidhura me Fatahun, partinë nacionaliste dhe sekulare të presidentit palestinez Mahmoud Abbas, ose janë të pavarura.

Megjithatë, asnjë listë nuk deklaron lidhje me Hamasin, rivalin islamist të Fatahut.

Një banor i qytetit Tulkarm tha se do të votojë pa iluzione, duke theksuar se as kandidatët e pavarur dhe as ata partiakë nuk do të ndryshojnë realitetin në qytet, i cili sipas tij kontrollohet nga okupimi izraelit.

Në disa qytete të mëdha si Nablus dhe Ramallah garon vetëm një listë kandidatësh. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00 në Bregun Perëndimor, ndërsa në Deir el-Balah do të mbyllen më herët për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

OKB-ja e ka përshëndetur mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si një mundësi të rëndësishme që palestinezët të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike në një moment shumë të vështirë.

Në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi që nga viti 2007, këto janë zgjedhjet e para që nga ato parlamentare të vitit 2006. Sipas analistëve, votimi në Deir el-Balah po shihet si një “eksperiment” për të testuar mundësinë e zgjedhjeve më të gjera në të ardhmen.

Presidenti Mahmoud Abbas është në pushtet që nga viti 2005 dhe premtimet për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare nuk janë realizuar.

Një banor 25-vjeçar i Gazës tha se është i lumtur që voton për herë të parë, duke e parë këtë si dëshmi se palestinezët vazhdojnë të ekzistojnë dhe të qëndrojnë në Gazë pavarësisht luftës.

Exit mobile version