Sport

Zhegrova s’ka të ardhme te Juve, mësohen arsyet

Rrugët e Edon Zhegrovës te Juventusi po shkojnë duke u mbyllur. Gjiganti italian, sipas mediave në Itali, tashmë po e mendon seriozisht të ardhmen e yllit të Kosovës që vlerësohet se pati sezon zhgënjyes në debutimin te “Zonja e Vjetër”.

Në një shkrim të prestigjiozes “Claciomercato” është thënë Zhegrova do ta mbajë mend për kohë të gjatë ndeshjen që e pati më 19 prill ndaj Bolognas. Ai u paraqit për rreth 20 minuta, e sipas shkrimit, “e tërboi” trajnerin Luciano Spallettin. Zhegrova pati të paktën dy topa të humbur kur skuadra po fitonte 2:0 dhe huqjet rrezikuan kundërsulme.

Në përgjithësi, sezoni nuk ka qenë pozitiv për yllin kosovar. Ai ka pasur vetëm 22 paraqitje apo 21 minuta për ndeshje.

Në artikull theksohet se Zhegrova ka ende fokus që ta shpaguajë besimin e Juventusit kur e transferoi nga Lille sezonin e shkuar. Ai mësohet se u ka kërkuar agjentëve që të mos nguten me oferta dhe të presin fundin e sezonit.

Megjithatë, klubi po e mendon shitjen e tij. Madje sipas shkrimit, për të shmangur “humbje kapitale”, Juventusi mund ta mendojë shitjen e lojtarit për 11.4 milionë euro edhe pse e kishte blerë për 14.3, pa bonuset e përfshira në kontratë.

“Klubi është duke reflektuar dhe nuk mungojnë dyshimet mbi personalitetin e lojtarit, si dhe mbi zgjedhjet e tij në fushë lidhur me llojin e veprimit që duhet të bëjë në një moment të caktuar, më shumë sesa mbi cilësitë e tij teknike të padiskutueshme. Mundësitë për Zhegrovën nga tani deri në fund të sezonit nuk do të jenë të shumta; i takon atij t’i shfrytëzojë mirë ato. Pastaj do të vijë momenti i vendimeve, të tijat dhe mbi të gjitha të klubit”, thuhet në shkrimin e “Calciomercatos”.

Për 27-vjeçarin është raportuar disa herë se interesim ka shprehur Evertoni në Premier League.

Exit mobile version