Kosovë Lajme

Ministri Vitia pa përgjigje për mungesën e barnave esenciale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka përgjigje lidhur me shqetësimet për mungesën e barnave esenciale, të cilat pacientët i blejnë me shpenzime nga xhepi i tyre. Ai i ka injoruar pyetjet lidhur me këtë çështje që prek drejtpërdrejt interesin publik. Përderisa nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se furnizimi është i rregullt, pacientët edhe sot janë detyruar të sigurojnë vetë terapinë e nevojshme
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shpërfillë pyetjet për mungesën e barnave esenciale në institucionet publike e për të cilën ankesë kanë shprehur pacientët.

“Më fal të lutem, nuk pata përgjigje për juve, prandaj po them…”, është shprehur Vitia, ndërsa KOHA e ka pyetur jo vetëm për barnat, por edhe për paraqitjen në mënyrë të pasaktë të të dhënave.

E, për çështje të tjera ministri u ndal dy herë të japë përgjigje të mërkurën. Në një rast doli edhe nga vetura.

Pacientët, të cilët prej kohësh po i blejnë vetë këto barna që duhet të sigurohen nga shteti, ende nuk kanë përgjigje se për sa kohë do të vazhdojnë të përballen me kosto të larta, duke nisur nga ato të antibiotikëve e deri tek ilaçet për kancer.

“Nuk e di çka janë këto, si paracetomola janë, e kanë kushtu 7 euro e gjysmë. Nuk janë që ka kushtu ku me ditë sa… kështu aty këtu do sene ma të vogla, jo diçka sene të mëdhaja, se kryesisht po janë brenda, e qeto po dalim po i blejmë çka po ka nevojë”, ka thënë familjari i pacientit.

Ky familjar ka treguar se gjatë qëndrimit në spital u është dashur të blejnë gjysmën e terapisë.

“Brenda ditës ka kushtuar kosto 30-40 euro. Kur erdh puna për sallë të operimit, u dashtë me i ble. Edhe aty ke një kosto bajagi e mirë, diku 70-80 euro. Po kështu që brenda qëndrimit, na ka ra me nejt diku nja 20 ditë, 25 ditë nuk e di saktë, por llogarite diku kosto ka kushtu 40-50 euro dita veç për barna… gjatë muajit të kaluar”, ka treguar ai.

KOHA raportoi javën e kaluar se pacientët me kancer po detyrohen të blejnë vetë ilaçe me vlerë deri në 5 mijë euro, ndërsa nga SHSKUK-ja kanë insistuar se Klinika e Onkologjisë furnizohet vazhdimisht.

Televizioni ka raportuar se pacientët janë përballur edhe me mungesë të ilaçeve dhe materialit shpenzues, për të cilat kishte kontrata aktive.

Po ashtu javën e shkuar, QKUK-ja e demantoi ministrin Vitia lidhur me pishinat e Klinikës së Mjekësisë Fizikale.

I pyetur nëse ka pranuar raport pas stories së KOHËS për mosfunksionalizimin e pishinave për hidroterapi, ai tha publikisht se e ka marrë atë.

Por disa ditë më pas QKUK-ja e demantoi.

E me gjithë kërkesën për qasje në dokumente zyrtare, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka dhënë KOHËS qasje në atë raport që ministri tha se e posedon.

Exit mobile version