Kosovë Lajme

Reagon Albulena Haxhiu: Burgimi i përjetshëm, përgjigje e fortë ndaj krimit

Presidentja Albulena Haxhiu, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt.

Haxhiu e cilësoi vendimin si një përgjigje të merituar dhe të fuqishme ndaj një krimi të rëndë që kishte tronditur mbarë vendin, transmeton IndeksOnline.

“Sot, me dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, drejtësia dha një përgjigje të merituar dhe të fortë ndaj një krimi të rëndë që tronditi mbarë vendin”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, përpjekjet e të dënuarve për ta fshehur vrasjen pas skenarëve të rremë vetëm sa e rënduan edhe më shumë këtë akt mizor.

Ajo theksoi se asnjë vendim gjykate nuk mund ta kthejë Liridonën pranë fëmijëve dhe familjes së saj, por ky aktgjykim dëshmon se askush nuk mund të planifikojë apo kryejë një krim të tillë dhe t’i shpëtojë drejtësisë.

Haxhiu ka bërë thirrje për vazhdimin e luftës kundër femicidit, duke kërkuar institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës.

“Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë”, ka përfunduar ajo.

Exit mobile version