Shqipëri

Pallati i djegur, Rama: Banorët do trajtohen me bonus qiraje – Zjarri s’kishte lidhje me ndërtimin

Kryeministri Edi Rama tha sot se banorët e dëmtuar nga zjarri i rënë në pallatin pranë QSUT-së do të trajtohen me bonus qiraje derisa të kthehen në shtëpitë e tyre, si dhe do të marrin mbështetje nga bashkia, raporton A2CNN.

Duke folur në podkastin e përjavshëm “Flasim” kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se zjarri nuk kishte lidhje në vetvete me ndërtimin, dhe materialet e përdorura ishin të certifikuara, duke ironizuar ata që i konsideroi si “gjithologë dhe ekspertë publikë”, që japin mendime mbi cilësinë e ndërtimeve në Shqipëri.

Megjithatë Rama po ashtu u shpreh se ngjarja e fundit është një arsye më tepër për të parë dhe kuptuar siç duhet, çka lidhet me cilësinë e ndërtimit dhe me materialet e ndërtimit.

“Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda. Ndërkohë, çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sipas meje, është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj dhe nga ana tjetër, angazhimi për të ndihmuar banorët që, deri në momentin – dhe besoj nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty – por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre”, tha Rama.

“Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë. E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi”, shtoi kryeministri.

Exit mobile version