Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, në Forumin Diplomatik të Antalias, në një tryezë për paqen në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se “aty ku ka kërcënim të sigurisë, asgjë nuk ecën përpara”.
Në fjalimin e tij në tryezën “Korrja e Paqes në Ballkan: Dialogu, Biznesi dhe Lidhja”, Konjufca ka thënë se shtetet e rajonit duhet të udhëhiqen nga dy parime kryesore.
“Një është që të kemi vullnet për bashkëpunim që të kemi partneritet të fortë. Kosova e ka dëshmuar me shtetet fqinje. Ne kemi më shumë se raporte të shkëlqyeshme me Shqipërinë, kemi raporte shumë të mira me Maqedoninë e Veriut, kemi marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe kemi bërë çmos që t’i përmirësojmë më shumë. Ne kemi ashtu siç janë, jo të lehta me Bosnjën, dhe kemi raporte shumë të komplikuara dhe të vështira me Serbinë. Parimi i dytë do të ishte që aty ku kemi mospajtime të shmangim armatosjen e mospajtimeve dhe sjelljeve armiqësore ndaj njëri-tjetrit. Kosova dhe populli im ka përjetuar një luftë të tmerrshme, një gjenocid më 1998. Prandaj nuk mendoj se ndonjë shtet tjetër e do më shumë paqen dhe stabilitetin sesa populli im. Por për të arritur paqen e qëndrueshme dhe stabilitet në rajon, është shumë kyçe se si e kuptojmë se çka është paqja dhe stabiliteti sipas pikëpamjeve tona”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se Kosova e sheh paqen në dy dimensione. E para, sipas tij lidhet me sigurinë, dhe e dyta me përforcimin e partneritetit me shtetet tjera.
“Siguria është e para sepse kur siguria kërcënohet dhe rrezikohet, asgjë s’mund të ecën përpara”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se kërcënimet ndaj Kosovës janë intensifikuar me nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022. Ai ka thënë se që prej shkurtit të atij viti, Kosova është përballur me tensione dhe se kjo s’ka qenë rastësi.
E ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, bëri thirrje për mirëbesim ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se ky rajon e ka vendin në Bashkimin Evropian.
Përplasje e Konakoviqit dhe Gjuriqit
Ndërkaq gjatë tryezës pati përplasje mes ministrave të Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës dhe të Serbisë.
Ministri i jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, u shpreh se në Ballkan nevojitet lidership i ri. Ai ka thënë se historikisht ky rajon e ka pasur politikën më të dobët në botë. Në këtë rast, ka përmendur edhe akuzat e pabaza të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për aleancën Kosovë-Shqipëri-Kroaci. Ai ka thënë se me pretendimin se kjo aleancë po e kërcënon Serbinë, Vuçiqi po nxit zhurmë për “një luftë tjetër”. Këtu ka thënë se kjo s’është gjë e re e se në rajon ende flitet edhe për “Betejën e Kosovës” të para 600 vjetëve.
Ndaj këtij qëndrimi reagoi ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq. Ai i doli në mbrojtje Vuçiqit duke thënë se “ai ka qenë gjithmonë për stabilitet të Bosnje e Hercegovinës” dhe se “ai kujdeset për stabilitetin rajonal”.
Konakoviq ia kujtoi Gjuriqit dhe Serbisë se përderisa fsheh kriminelët e luftës, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë.
E sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) Amer Kapetanoviq ka thënë se paqja s’mund të mbahet vetëm me deklarata.
“Ajo duhet të ndërtohet përmes rrugëve që na lidhin, tregjeve që krijojnë mundësi, institucioneve që bashkëpunojnë dhe dialogut që vazhdon edhe kur është i vështirë. Bashkëpunimi rajonal nuk është diplomaci abstrakte, por mënyra se si stabiliteti bëhet i dukshëm në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, ka thënë ai.
Konjufca po ashtu ka njoftuar se gjatë ditës ka pasur takim me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Hakan Fidan. “Gjatë takimit, u ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë. Diskutuam gjithashtu për zhvillimet e fundit dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe për ndikimin që ato kanë në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

