Kosovë Lajme

FSK-ja do ta ruajë paqen në Gazë me armët e veta

Pas mandatimit formal nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe finalizimit të aspekteve teknike e logjistike, FSK-ja do të jetë gati që të niset për në mision në Gazë, kurdo që Forca Ndërkombëtare Stabilizuese e jep komandën. Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja do të shkojë në këtë mision, me pajisjet ushtarake të njësive të saj.

Marshin drejt Gazës së Palestinës, Forca e Sigurisë së Kosovës do ta nisë pas dritës jeshile që do të marrë nga Forca Ndërkombëtare Stabilizuese.

Një ditë pasi Kuvendi miratoi vendimin e Qeverisë për dërgimin e FSK-së në mision në Gazë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha në një përgjigje për KOHËN se koha e dislokimit të ushtarëve do të varet mes tjerash nga partnerët amerikanë që udhëheqin këtë mision.

Sipas ministrit, deri atëherë, hapat e radhës do të jenë mandatimi formal nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për angazhimin e FSK-së jashtë vendit dhe finalizimi i aspekteve operative e logjistike.

Në Gazë, ushtarët e FSK-së do të shkojnë me armët e saj.

“Ky do të jetë një angazhim me kapacitete ushtarake të kombinuara, të përshtatura me mandatin dhe nevojat e misionit. Kapacitetet e planifikuara përfshijnë fusha si deminimi, EOD (Explosive Ordnance Disposal), operacionet speciale, si dhe oficerë planifikues në Shtabin Qendror të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Sa u përket pajisjeve, do të shkohet me pajisjet e njësive tona dhe ato do të jenë në funksion të natyrës së misionit dhe të detyrave konkrete që do të kryhen, gjithmonë në përputhje me mandatin dhe koordinimin me partnerët”, ka bërë të ditur Maqedonci.

Me vendim është paraparë që në fazën e parë të dërgohen 22 pjesëtarë të FSK-së.

Ministri Maqedonci tha se do të jenë dhjetëra, porse numri i saktë dhe përbërja përfundimtare do të përcaktohen pas finalizimit të planifikimit operacional dhe teknik me partnerët.

Pavarësisht kalkulimeve, ministri tha se edhe kostoja finale do të përcaktohet pas finalizimit të marrëveshjes teknike me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese se cilat shpenzime do t’i mbulojë ajo e cilat Kosova.

“Në dokumentacionin e miratuar në Qeveri janë paraqitur të gjitha kalkulimet paraprake për shpenzimet e misionit, duke përfshirë sigurimet shëndetësore, sigurimin e jetës, kompensimin për rrezikshmëri, shpenzimet e akomodimit, si dhe elementet e tjera të nevojshme logjistike dhe mbështetëse”, ka theksuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Por ndryshe nga ta, pjesëtarët e FSK-së në Kosovë nuk e gëzojnë sigurimin shëndetësor dhe atë të jetës.

Ushtarët e FSK-së në Gazë do të japin kontribut në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

Exit mobile version