Petrit Ajeti do të jetë në detyrën e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) edhe për pesë vjet të ardhshme.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti, kanë nënshkruar vendimin për vazhdimin e mandatit të Ajetit.
“Ky vendim pasqyron vlerësimin institucional për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e deritanishme të z. Ajeti në udhëheqjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe besimin në vazhdimësinë e lidershipit të tij në forcimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Gjatë mandatit të tij, AKI ka vazhduar të luajë rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe interesave strategjike të Republikës së Kosovës, në koordinim të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë të sigurisë”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Ajeti në pesë vjetët e fundit ka qenë drejtor i AKI-së. Ai ka përfunduar studimet në shkencat politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, si dhe studimet master në Universitetin Metropolitan të Londrës. Po ashtu, ka ndjekur programe të shumta të zhvillimit profesional në fushën e sigurisë në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

