Maqedoni

34-vjetori i Doganës së Maqedonisë: Mbi 2,700 raste të parandaluara dhe rritje rekord e të ardhurave

Sot, në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, zyrtarëve doganorë dhe shumë të ftuarve, u shënua 34-vjetori i themelimit të Drejtorisë së Doganave.

Mesazhi kryesor nga drejtuesit e institucionit ishte i qartë: nuk ka vend për krim, ndërsa u paralajmëruan masa të vendosura për eliminimin e çdo dukurie që cenon sistemin.

Në këtë ngjarje u theksuan rezultatet e arritura në periudhën korrik 2024 – mars 2026. Sipas të dhënave zyrtare, janë parandaluar rreth 2,700 përpjekje për aktivitete të paligjshme dhe janë ngritur 332 kallëzime penale. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 213 kallëzime penale, pesë herë më shumë krahasuar me mesataren vjetore të periudhës 2017–2023.

Në aspektin financiar, Drejtoria e Doganave ka shënuar rritje të vazhdueshme të të ardhurave. Në gjysmën e dytë të vitit 2024 janë mbledhur 64.6 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Gjatë vitit 2025 janë inkasuar 105 milionë euro më shumë, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti të ardhurat janë rritur për 23.7 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, u bë e ditur se janë në zbatim projekte reformuese me vlerë totale prej 30 milionë eurosh, të financuara nga Buxheti i Shtetit, fondet e Bashkimit Evropian, Republika e Koresë dhe Banka Botërore.

Në kuadër të ceremonisë, për bashkëpunimin e suksesshëm u ndanë pllaka mirënjohjeje për disa institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Prokurorinë Publike, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Ambasadën Britanike, Delegacionin e BE-së, Misionin e OSBE-së në Shkup, Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore dhe TAV Maqedonia.

Exit mobile version