Shqipëri

Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

Bordi i Transparencës ka zhvilluar këtë të premte, më 10 prill 2026, mbledhjen e radhës, ku ka vendosur çmimet tavan për shitjen e nënprodukteve të naftës në vend.

Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 217 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 205 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është përcaktuar në jo më shumë se 176 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në jo më shumë se 164 lekë për litër.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 10 prill, në orën 18:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e mundshme të tregut.

Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të zbatojnë detyrimisht këtë vendim. Në rast shkeljesh, paralajmërohet pezullimi i aktivitetit për subjektet përkatëse.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Në një sqarim shtesë, bëhet e ditur se, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i reduktuar i akcizës zbatohet vetëm kur çmimet tejkalojnë 220 lekë/litër për gazoilin dhe 200 lekë/litër për benzinën. Duke qenë se çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza do të aplikohet në nivel të plotë, 100 për qind.

Exit mobile version