Maqedoni

Qoku: Ata që s’ndërtuan asnjë kilometër, sot s’kanë moral të flasin – Korridori VIII po bëhet realitet

Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka mbrojtur ndërtimin e Korridorit VIII, duke hedhur poshtë kritikat e opozitës për këtë projekt strategjik.

Sipas Qokut, nuk mund të merren seriozisht kritikat nga struktura politike që, siç tha ai, për më shumë se dy dekada në pushtet nuk arritën të ndërtojnë asnjë kilometër autostradë. Ai theksoi se pikërisht kjo qeveri po e realizon projektin me një dinamikë të paparë deri më tani.

Deputeti bëri të ditur se kostoja e përgjithshme e Korridorit VIII pritet të arrijë nga 1.4 deri në 1.7 miliardë euro, ndërsa përfundimi i punimeve është planifikuar për vitin 2029.

Qoku nënvizoi se për qeverinë është thelbësore që autostrada të shtrihet deri në Trebenishtë dhe Ohër, duke shtuar se më pas mbetet e hapur mundësia për zgjerime të mëtejshme. Ai siguroi se projekti do të vazhdojë me ritëm të shpejtë, pavarësisht sfidave.

Sa i përket çështjeve që lidhen me UNESCO-n, Qoku u shpreh se do të gjenden zgjidhje për sigurimin e lejeve të nevojshme, duke sjellë si shembull projekte të tjera infrastrukturore në zonën e Ohrit që kanë marrë miratimin përkatës.

Në fund, ai e cilësoi përparimin aktual të projektit si një arritje të jashtëzakonshme, duke theksuar se realizimi i plotë është çështje kohe dhe financash.

Exit mobile version