Në prag të përballjes vendimtare ndaj Polonia, një nga zërat më optimistë në kampin kuqezi ka qenë ai i Ernest Muçi. Sulmuesi i talentuar ka dhënë një mesazh të qartë besimi dhe vendosmërie, duke theksuar se skuadra është gati për sfidën më të madhe.
Në një intervistë për Supersport, Muçi e cilësoi këtë përballje si një nga momentet më të rëndëishme në historinë e futbollit shqiptar.
“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Jemi gati për të kaluar këtë raund dhe për të shkuar në ndeshjen finale,” u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e këtij dueli për ëndrrën e kualifikimit në Kupën e Botës.
Pavarësisht se kundërshtari luan në fushën e tij dhe konsiderohet favorit, Muçi theksoi se objektivi i kuqezinjve është i qartë: fitorja. “Polonia është një ekip i fortë, normal ata luajnë në shtëpinë e tyre, por ne kemi ardhur këtu për të fituar dhe që t’i bëjmë të gjithë krenarë,” deklaroi sulmuesi.
Duke folur për rolin e tij në skuadër, 23-vjeçari tregoi përkushtim maksimal dhe respekt ndaj vendimeve të stafit teknik.
“Unë gjithmonë jam gati për të dhënë më të mirën për Kombëtaren. Trajneri është ai që vendos, por më e rëndësishmja është që ekipi të fitojë dhe të arrijmë këtë rezultat historik,” shtoi ai.

