Kjo javë konsiderohet vendimtare për zhvillimet politike në vend, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të japë një vendim kyç lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ngërçin e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit.
Aktualisht, në fuqi mbetet masa e përkohshme e vendosur nga Kushtetuesja deri më 31 mars, e cila ka pezulluar zbatimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës. Kjo situatë ka krijuar paqartësi institucionale dhe ka shtuar presionin mbi akterët politikë për të gjetur një zgjidhje.
Sipas burimeve të Gazeta Minuti, vendimi në Kushtetuese është drejt finalizimit dhe mund të bëhet publik shumë shpejt, madje më së largu deri nesër. Po ashtu, bëhet e ditur se një nga skenarët e mundshëm është që kryeministrit Albin Kurti t’i jepet një afat shtesë për të siguruar zgjedhjen e presidentit, duke i hapur rrugë një zgjidhjeje politike pa shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
Kërkesa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dekretit ishte dorëzuar pikërisht nga Kurti në emër të Qeverisë, duke e çuar çështjen për interpretim në instancën më të lartë juridike në vend.
Vendimi që pritet nga Kushtetuesja shihet si përcaktues për rrjedhën e mëtejshme të proceseve politike, pasi do të sqarojë jo vetëm vlefshmërinë e dekretit, por edhe hapat konkretë që duhet të ndërmerren për të tejkaluar krizën aktuale institucionale.

