Izet Mexhiti ka paralajmëruar se procesi i unifikimit brenda VLEN është drejt finalizimit, duke theksuar se për herë të parë në historinë pluraliste të Maqedonisë së Veriut shqiptarët nga provenienca të ndryshme politike po bashkohen në një front të përbashkët.
Sipas Mexhitit, në këtë bashkim po përfshihen figura nga e djathta dhe e majta, politikanë të rinj dhe me përvojë, duke synuar krijimin e një zëri të unifikuar politik shqiptar. Ai theksoi se ky zhvillim përbën përgjigjen më të fortë ndaj përçarjes së votës shqiptare ndër vite dhe hap një epokë të re të organizimit politik.
Në mesazhin e tij, Mexhiti nënvizoi se nuk duhet të ketë më hapësirë për interesa të ngushta apo pazare politike në kurriz të qytetarëve, duke shtuar se qëllimi është krijimi i një përfaqësimi të përbashkët dhe më të fuqishëm.
Ai e cilësoi këtë moment si vendimtar për spektrin politik shqiptar, duke theksuar se bashkimi brenda VLEN-it do të sjellë një zë të fortë, të qartë dhe të unifikuar në skenën politike.

