Botë Lajme

Vdiq legjenda Chuck Norris

Chuck Norris, mjeshtri i arteve marciale dhe ylli i filmave aksion që me rolin në “Walker Texas Ranger” dhe filma të tjerë u bë legjendë si person i fuqishëm – duke nxitur edhe parodi interneti më vonë – ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Norris vdiq të enjten. Familja e ka cilësuar vdekjen si të papritur.

“Përderisa do të donim të ruanim rrethanat në mënyrë private, ju lutem të keni parasysh se ai ishte i rrethuar nga familja e tij dhe ishte në paqe”, thuhet në njoftimin e publikuar nga familja në rrjete sociale.

Para se të bëhej yll filmi dhe të paraqitej në televizion, Norris ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në garat e arteve marciale. Ai ishte gjashtëherë kampion botëror i karatesë profesionale në peshat e mesme. Po ashtu e krijoi stilin e vet amerikan të karatesë me bazë në Kore, të njohur edhe si “Chun Kuk Do”. Madje revista “Black Belt” i ka dhënë Norrisit çmimin më të lartë që ekziston, atë të shiritit të zi të shkallës së 10-të.

I lindur me emrin Carlos Ray Norris në Oklahoma më 10 mars 1940, ylli u rrit në varfëri. Në moshën 12-vjeçare kaloi me familjen në Kaliforni. Pas shkollës së mesme, iu bashkua Forcës Ajrore më 1958. Falë dislokimit në Kore, ai nisi të mësonte arte maciale, përfshirë xhudo dhe Tang Soo Do.

“Shkoja për gjimnastikë dhe futboll në shkollën ‘North Torrance’”, i kishte thënë ai agjencisë “Associated Press” më 1982. “Kam luajtur futboll, por shumicën e kohës e kaloja në bankinë. Nuk isha kurrë aq sportist deri sa shkova për shërbim në Kore”.

Pasi u lirua nga detyra me nderime më 1962, Norrisi punoi si arkivist dhe kishte aplikuar për t’u bërë zyrtar policor, por u vendos në listë të pritjes. Ndërkohë, e hapi një studio të arteve marciale, që më pas u bë zinxhir. Studentët e tij qenë yje të mëvonshme, përfshirë Bob Barker, Priscilla Presley, Donnie dhe Marie Osmond, si dhe Steve McQueen, të cilit më vonë ia dha meritat për nxitje që të merrej me aktrim.

Nga një studio në tjetrën

Norris debutoi si truprojë në një film më 1968. Si pjesë e “The Wrecking Crew” ai pati një përleshje në film me Dean Martinin. Po ashtu dikur kishte takuar edhe legjendën Bruce Lee në qarqet e arteve marciale. Marrëdhënia e tyre – nganjëherë edhe si partnerë të karatesë – çoi në filmin ikonik të 1972-s “Return of the Dragon” në të cilin Lee e lufton dhe e mbyt karakterin e Norrisit.

Pas kësaj, ishte pjesë edhe e më shumë se 20 filmave, si “Missing in Action”, “The Delta Force” dhe “Sidekicks.”

Më 1993, ai mori rolin më të famshëm, të avokatit që luftonte krimin, në “Walker Texas Ranger”. Seriali zgjati për nëntë sezone dhe më 2010, atij iu dha çmimi i nderit nga Teksasi.

“Nuk është dhunë kundër dhunës”, kishte thënë ai më 1996 për AP për këtë rol. “Ju përpiqeni ta portretizoni kuptimin e plotë të asaj që është në të vërtetë – luftimi i padrejtësive me drejtësi, e mira kundër të keqes… është argëtim për të gjithë”.

Norris pati befasuar edhe me një rol në komedi, me paraqitjen në “Dodgeball” më 2004. Më pas u paraqit në më pak role, përfshirë në “The Expendables 2” më 2012 dhe “Agent Recon” më 2024. Ende nuk është publikuar edhe filmi “Zombie Plan”.

Chuck Norris: Burri i fuqishëm, meme, legjenda

Ishte koha e paraqitjes në “Dodgeball” kur imazhi i një burri të fuqishëm ia shtoi hijeshinë legjendës. “Faktet për Chuck Norris” u bë papritur viral online duke hiperbolizuar pretendime, si “Chuck Norris ka pasur përballje për shikim me diellin – dhe ka fituar”.

Duke e pranuar me shumë mirësi, Norris e krijoi një koleksion të memeve të internetit në një libër zyrtar që përmbledhtë rrëfimet e preferuara të tij. Ai gjithashtu pati libra edhe për mësimin e arteve marciale, memoar, këndvështrime politike, trillime historike të epokës së Luftës Civile dhe më shumë.

“Për shumë që dinë pak për karrierën time të arteve marciale apo filmave, por janë rritur me ‘Walker, Texas Ranger’, duket se unë jam bërë njëlloj superheroi mitik”, pati shkruar Norrisi në librin e tij. “Përkulem para jush”.

Libri kontribuoi për të financuar një organizatë joqeveritare me ish-presidentin amerikan George H.W. Bush, për promovim të instruksioneve për arte marciale për fëmijë.

Figura e tij u shfrytëzua papritmas në garën presidenciale te Republikanët më 2008, kur Norrisi e mbështeti Mike Huckabeen.

Edhe mbështetësit e presidentit Donald Trump më vonë promovuan “Faktet për Trumpin” në të njëjtën mënyrë, si në rastin e kapjes së presidentit të Venezeuelës Nicolas Maduro.

Norris ishte i zëshëm për besimin e tij të krishterë dhe mbështetjen për të drejtat për pronësi armësh dhe mbështetje për politikanë të ndryshëm ndër vite. E ka mbështetur Bushin e edhe Trumpin më 2016.

Norris ka pesë fëmijë me gruan Gena Norris dhe ish-gruan Dianne Holechek.

Vetëm një javë para vdekjes, Norrisi festoi ditëlindjen duke publikuar një video në Instagram.

“Unë nuk plakem. Unë rritem në nivele”, pati shkruar ai.

#CHUCK NORRIS

Exit mobile version