Kosovë Lajme

Komiteti i Rajoneve i BE-së i heq fusnotën Kosovës , kërkon heqjen e plotë të masave

Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar Asociacionin e Komunave të Kosovës se ka vendosur që, në dokumentet dhe komunikimet e tij publike, të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me fusnotë “*”, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Sipas tij, ky vendim vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.

Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.

“Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian.
Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale” deklaroi Ibrahimi.

Me këtë rast, kreu i Asociacionit tha se AKK-ja ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës, në institucionet e Bashkimit Evropian.

“Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komitetin e Rajoneve të BE-së, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në: promovimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës, informimin e partnerëve evropianë për ndikimin që masat e BE-së kanë pasur në komunat dhe qytetarët e Kosovës, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane” pohoi Ibrahimi.

Ky i fundit e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën.

“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Vendimi i Komitetit të Rajoneve për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks në dokumentet e tij është gjithashtu një zhvillim i rëndësishëm institucional në nivel evropian.”

Exit mobile version