Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin” ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka pasur edhe kundërshtime të hapura. Por, ai thotë se një nga vendimet më të rëndësishme ishte regjistrimi i 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Vendimi ishte marrë nga Qeveria e Kosovës më 13 mars të vitit 2024, ndërsa Agjencia Kadastrale e Kosovës ia regjistroi këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit disa ditë më vonë.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.
Rashiq tha se Kurti i kishte thënë se po e merrte vendimin për tokën, “hatri i tij”.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime. Kryeministri më telefonoi para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkak teje’”, tha Rashiq, transmeton “Kossev”
Rashiq në intervistë ka folur edhe për Ligjin për të huajt që pritet të zbatohet plotësisht më 15 mars.
Rashiq ka thënë se “s’do të ketë deportime”, por tha se “duhet ndalohet vakumi institucional”.
Ligji për të huajt thotë se qytetarët që nuk posedojnë shtetësi të Kosovës, mund të qëndrojë deri në 90 ditë brenda periudhës kohore prej 180 ditësh pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet. Gjatë kësaj periudhe thuhet se nuk i lejohet puna/punësimi pa leje pune dhe se çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Ligji për të huajt parasheh se të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve. Ndërkaq ai për automjetet specifikon që të gjitha veturat me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Sipas Ministrisë zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026.
“Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Rashiq thotë se vetë ligji nuk është diskriminues, por se problemi është në zbatimin e tij të papritur.
“Është absolutisht i ngjashëm ose i njëjtë me ligjet që zbatohen në shumë shtete të Evropës. Ajo që është kontestuese është metodologjia e zbatimit ose periudha kohore e aplikimit të tij”, deklaroi Rashiq, duke shtuar se pikërisht ai ka insistuar për shtyrjen e zbatimit për të shmangur pakënaqësinë e menjëhershme të qytetarëve. “Jo, nuk do të ketë deportime. Kam biseduar për këtë edhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe kam ofruar ndihmën time”.
Sipas tij, problem i veçantë është “vakumi institucional” në të cilin ndodhen arsimi dhe shëndetësia.
Duke folur për të ardhmen e sistemit arsimor dhe shëndetësor serb, Rashiq theksoi se për integrimin nuk shtrohet më pyetja “nëse”, por “kur”, por nënvizoi se ende ka kohë për përgatitje cilësore që do t’i mbrojë punëtorët dhe përdoruesit e këtyre shërbimeve.
“Mendimi im është se duhet të mendojmë përpara. Rreth një vit e gjysmë më parë është thënë se duhet të jemi të përgatitur për ndryshime të caktuara sepse pala tjetër aktualisht nuk i njeh këto institucione. Roli ynë është që, ndërsa ende kemi kohë, të gjejmë mënyrë për t’i mbrojtur. Përgatitja e mirë është gjysma e punës së kryer”, tha Rashiq
Rashiq ka folur edhe për Listën Serbe. Tha se ka marrë mandatet me presione e shantazhe.
“Kanë ardhur deri te ato mandate përmes presioneve dhe shantazheve brutale. Kam parë gjëra të tmerrshme – që njerëzve u hiqet ndihma sociale, që fëmijëve me nevoja të veçanta u ndërpriten pagesat vetëm për ta rritur elementin e shantazhit. Ky është ai ‘kallëp’ i tyre. Nëse i përshtatesh, je pjesë e strukturës; nëse jo, bëhesh armiku numër një”, tha Rashiq.

