Kosovë Lajme

Osmani: Kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen më të forta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ajo në fjalimin e saj në një videomesazh të publikuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, ka thënë se premtimi i të ardhmes i takon grave aq sa burrave, duke theksuar se historia e Kosovës është provë e gjallë e kësaj të vërtete.

Ajo ka thënë se rruga e Kosovës drejt lirisë nuk u shkrua vetëm nga burrat, por edhe nga gratë që udhëhoqën rezistencën paqësore.

Osmani ka deklaruar se kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta.

“Trashëgimia e tyre vazhdon të udhëheqë rrugën tonë demokratike. Nga kjo histori kemi nxjerrë një mësim të përhershëm: një proces paqeje që përjashton gratë nuk mund të ketë sukses të vërtetë. Një sistem sigurie i krijuar pa zërat e grave nuk mund të qëndrojë. Një rend demokratik që lë gratë pas mbetet i paplotë. Gratë nuk janë vëzhguese të progresit. Ato janë drejtueset e tij, nga jeta publike dhe politike, te forcat e sigurisë, diplomacia, ekonomia dhe biznesi. Përvoja na ka treguar se kur gratë marrin pjesë plotësisht, shoqëritë bëhen më të drejta, më të forta dhe më të pasura”, është shprehur Osmani.

Ka shtuar se shumë gra në botë ende përballen me dhunë, margjinalizim dhe padrejtësi, por ka thënë se përfundimi i kësaj nuk mund t’i lihet vetëm një kombi apo brezi. Sipas saj, është përgjegjësi që duhet ndarë.

“Zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin as injorohen. Lidershipi i tyre nuk duhet trajtuar si opsional dhe pabarazia nuk duhet pranuar si status quo. Sepse kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme. E ardhmja për të cilën aspirojmë është një e ardhme ku çdo ambicie e gruas njihet si legjitime, kontributi i saj vlerësohet dhe lidershipi i saj kuptohet për atë që është me të vërtetë, i domosdoshëm”, ka përfunduar Osmani.

Exit mobile version