Kosovë Lajme Uncategorized

Hamza ofertë Kurtit: Presidenti të zgjidhet nga PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se i ka ofruar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një marrëveshje sipas së cilës presidenti i vendit do të zgjidhej nga një propozim i PDK-së.

Në një konferencë për media pas takimit të së shtunës me Kurtin, Hamza ka thënë se kjo është oferta e fundit zyrtare e partisë së tij për të shmangur zgjedhjet dhe për të zhbllokuar situatën politike. Ai shtoi se tani pret një sinjal nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë propozim, ndërsa LVV-ja pritet ta mbajë të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

“Sot, në takimin e dytë me Kurtin, PDK-ja ofroi edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet, duke propozuar zgjedhjen e një presidenti nga radhët tona, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur”, deklaroi Hamza.

Ai bëri të ditur se kërkesa fillestare ka qenë që kandidatura të vinte nga familja Jashari, por se familja ka dalë zyrtarisht kundër përfshirjes në proces politik – vendim që, sipas tij, respektohet plotësisht.

Hamza theksoi se tashmë përgjegjësia bie mbi shumicën parlamentare.

“Nuk mund dhe nuk do të marrim përgjegjësinë që nuk na takon. Nuk mund ta zëvendësojmë shumicën parlamentare. Jemi opozitë, do të sillemi si të tillë. Nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore. Opozita ka rol kontrollues, jo rol shpëtues. Kosova ka nevojë për president, për institucione konsensuale, ka nevojë për shumicë parlamentare që mban përgjegjësi dhe larg lojërave politike. Nga sot, përgjegjësia është e atyre që qeverisin”, shtoi ai.

Sipas Hamzës, në takimin e sotëm nuk është diskutuar asnjë emër konkret, pasi palët nuk kanë arritur deri në atë fazë të bisedimeve.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 4 mars për zgjedhjen e presidentit të ri.

Exit mobile version