Presidentja, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim lamtumirës komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.
Në një komunikatë për media të Presidencës thuhet se gjatë takimit Osmani ka shprehur mirënjohje për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, duke e cilësuar atë si jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, e cila është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, thuhet në Komunikatë.
Tutje thuhet se gjatë takimit, Osmani e ka falënderuar kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo thuhet se i ka ndarë atij një mirënjohje për angazhimin e çmuar.
Osmani thuhet se i ka uruar mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
“Në këtë kontekst, presidentja theksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat”, thuhet në komunikatë.

