Maqedoni

Bekim Qoku: Në Kuvend mbështesim Rezolutën për krerët e UÇK-së, kjo është një çështje mbi parti

Deputeti Bekim Qoku ka deklaruar se VLEN e mbështet publikisht Rezolutën e dorëzuar në Kuvend për krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e cilësuar Luftën Çlirimtare të Kosovës si luftë të drejtë dhe të pastër, një luftë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

Sipas Qokut, nuk ka asgjë që mund ta njollosë këtë luftë dhe luftëtarët e saj, ndërsa në këtë çështje shqiptarët duhet të jenë unikë, pa dallime partie, feje apo bindjesh politike.

Ai thekson se VLEN e ka dëshmuar qartë përkrahjen përmes pranisë së deputetëve në seancën e Komisionit ku u diskutua kjo pikë e rendit të ditës, duke shtuar se në fund është vota ajo që numërohet në Kuvend.

Në reagimin e tij, Qoku drejton kritika ndaj Bashkimi Demokratik për Integrim dhe liderit të saj Ali Ahmeti, duke rikujtuar se partia që erdhi në pushtet falë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe që qeverisi për 22 vjet, sipas tij, nuk bëri asgjë konkrete për veteranët e luftës dhe për UÇK-në në përgjithësi.

Qoku thekson se gjatë 22 viteve në pushtet, BDI ka miratuar Ligjin për branitellat dhe ka votuar ndryshimet e tij gjashtë herë, ndërsa propozim-ndryshimi i shtatë, i parashtruar në kohën kur VLEN ishte në qeveri, është penguar dhe ka mbetur pezull.

Ai shton se as Ali Ahmeti personalisht dhe as BDI nuk kanë ndërmarrë asnjë hap kundër Gjykatës Speciale që nga themelimi i saj në vitin 2016, edhe pse, sipas tij, kishin peshë të konsiderueshme në qeveri në atë periudhë.

Sipas Qokut, Ahmeti nuk ka vizituar krerët e UÇK-së në Hagë, ndërsa herën e vetme që ka qenë atje ka shkuar si dëshmitar. Ai gjithashtu përmend deklarimet e mëhershme të Ahmetit për angazhimin dhe lobimin për votimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, duke ngritur pyetjen nëse ka ndryshuar qëndrim sot.

Në fund, Bekim Qoku thekson se UÇK-ja, vlerat dhe meritat e saj janë keqpërdorur për pikë politike, ashtu siç, sipas tij, po ndodh edhe me këtë Rezolutë, pa konsultim me partitë e tjera dhe pa siguruar votat e nevojshme për një çështje kaq të ndjeshme për shqiptarët.

Exit mobile version