Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbledhur ditën e sotme historike duke e nderuar kujtimin e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi, Osmani u shpreh se familja heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari, me gjak e sakrificë u përjetësua në altarin e lirisë së Kosovës.
“Sot, flamuri i Kosovës valon mbi çdo qytet dhe çdo fshat të Kosovës. Ai simbolizon sakrificën e brezave, guximin e vajzave dhe djemve të UÇK-së dhe amanetin që na kanë lënë dëshmorët e kombit.
Le të mbajmë lart flamurin e Kosovës, flamurin e lirisë dhe sakrificës. Le të përulemi përpara kujtimit të heronjve tanë dhe ta vazhdojmë rrugën e tyre me krenari, guxim dhe dashuri për atdhe!” shkroi Osmani.
Ky është postimi i presidentes:
Në këtë ditë historike dhe të shenjtë për kombin tonë, nderuam kujtimin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, arkitekt i paqes dhe vizionit për një Kosovë të lirë e të pavarur, të Adem Demaçit, simbol i drejtësisë, guximit dhe qëndresës së palëkundur, dhe të familjes heroike të komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, e cila me gjak dhe sakrificë u përjetësua në altarin e lirisë së Kosovës.
Po ashtu, bëmë homazhe pranë pllakës përkujtimore të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, si dëshmi e dhimbjes sonë të përbashkët dhe zotimit të përhershëm për drejtësi.
U përulëm edhe para pllakës përkujtimore të personave të zhdukur me dhunë, duke riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur për zbardhjen e fatit të tyre dhe për të drejtën e familjeve për drejtësi.
Sot, flamuri i Kosovës valon mbi çdo qytet dhe çdo fshat të Kosovës. Ai simbolizon sakrificën e brezave, guximin e vajzave dhe djemve të UÇK-së dhe amanetin që na kanë lënë dëshmorët e kombit.
Le të mbajmë lart flamurin e Kosovës, flamurin e lirisë dhe sakrificës. Le të përulemi përpara kujtimit të heronjve tanë dhe ta vazhdojmë rrugën e tyre me krenari, guxim dhe dashuri për atdhe!
Rrofsh për jetë e mot, Kosova jonë e dashur!

