Maqedoni

Dorëheqet Gadaf Uzeiri nga funksioni i sekretarit organizativ i ASh-së

Gadaf Uzeiri ka dhënë dorëheqje nga funksioni i sekretarit organizativ të Aleanca për Shqiptarët, duke i dhënë fund angazhimit të tij në strukturat drejtuese të partisë që udhëhiqet nga Arben Taravari.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Uzeiri përmes një deklarate publike, ku ai e cilëson vendimin si një moment vendimtar dhe emocional në jetën e tij politike. Ai thekson se gjatë gjithë rrugëtimit është udhëhequr nga ideali që çdo veprim dhe vendim duhet t’i shërbejë kauzës dhe mirëqenies së popullit shqiptar.

Uzeiri rikujton se Aleanca për Shqiptarët lindi si një nevojë e kohës, nga idealistë që besonin se shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar denjësisht, duke u shndërruar në një adresë shprese për ata që kërkonin ndryshim dhe drejtësi. Ai shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëudhëtarët dhe aktivistët që, sipas tij, i kanë dhënë shpirt dhe energji lëvizjes ndër vite.

Në të njëjtën kohë, Uzeiri kërkon falje për çdo gabim apo dhimbje që mund të ketë shkaktuar gjatë angazhimit të tij në parti, duke theksuar se gjithmonë ka vepruar me përgjegjësi dhe qëllime të mira.

Një falënderim i veçantë shkon për Arben Taravarin, të cilin e quan mik dhe shok, duke nënvizuar se pavarësisht mospajtimeve të herëpashershme për vendime të caktuara, besimi dhe respekti reciprok nuk janë lëkundur asnjëherë.

“Në Aleancë rruga ime përfundon këtu, por shpirti dhe zemra ime do të mbeten gjithmonë pjesë e kësaj lëvizjeje”, thekson Uzeiri, duke falënderuar aktivistët dhe simpatizantët për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar ndër vite.

Exit mobile version