Lajme Maqedoni

Publicisti Fejzi Hajdari kritikon ambasadorin Meidani: Diplomacia nuk duhet të shndërrohet në zgjatim partie

Shkup – Publicisti dhe analisti Fejzi Hajdari ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, duke e akuzuar se po sillet më shumë si përfaqësues partiak sesa si diplomat shtetëror.

Në reagimin e tij publik, Hajdari thekson se ambasadori Meidani, me paraqitjet dhe deklaratat e fundit, ka krijuar përshtypjen e rreshtimit të hapur në mbështetje të një subjekti politik, çka sipas tij përbën shkelje të parimeve bazë të diplomacisë dhe dëmton seriozisht imazhin e shtetit shqiptar.

Sipas Hajdarit, diplomacia shqiptare duhet të mbetet mbi interesat partiake dhe të përfaqësojë interesin e përgjithshëm shtetëror dhe të shqiptarëve në tërësi, e jo të përdoret për qëllime politike ditore. Ai nënvizon se fillimisht kishte shpresuar që ambasadori Meidani do të sillte një frymë të re dhe do të shmangte gabimet e së kaluarës, por veprimet e fundit, sipas tij, kanë zhgënjyer këtë pritshmëri.

Publicisti kritikon gjithashtu shfaqjet publike të ambasadorit me figura politike lokale, duke i cilësuar si të papërshtatshme për një përfaqësues diplomatik dhe në kundërshtim me etikën që duhet të ruajë një ambasador.

Në përfundim, Hajdari apelon që ambasadori Meidani të rikthehet në kornizat e një diplomacie profesionale, të paanshme dhe në shërbim të interesave shtetërore, duke theksuar se diplomacia duhet të bashkojë, e jo të thellojë ndarjet politike./

Exit mobile version