Numri i rasteve me kancer të qafës së mitrës në Kosovë po rritet, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e pacientëve diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes, kur trajtimi është më i vështirë, ka deklaruar drejtori i Klinikës Onkologjike në QKUK, Ilir Kurtishi.
Ai ka theksuar se gjatë vitit 2025 janë trajtuar mbi 100 raste të këtij kanceri, ndërsa për të gjitha organet gjenitale në përgjithësi, numri ka arritur në 170–180 raste, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin paraprak.
Kurtishi ka nënvizuar bashkëpunimin e ngushtë mes Klinikës Onkologjike dhe Klinikës së Gjinekologjisë për ofrimin e trajtimeve moderne, duke përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale fillestare dhe kombinimin e kimioterapisë me radioterapi në rastet e avancuara.
“Edhe numri i pacientëve me këtë sëmundje nga viti në vit ka një tendencë rritjeje. Vitin 2025 ne kemi të dhëna që ky numër sillet mbi rreth 100, vetëm të qafës së mitrës, kurse të organeve gjenitale në përgjithësi numri është edhe më i lartë, shkon deri në 170-180. Dhe është pak më i lartë se vitin 2024”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, shqetësim i veçantë mbetet fakti që shumë gra paraqiten për trajtim në faza të avancuara, kur sëmundja nuk mund të operohet dhe kërkohet trajtim kombinues radioterapie-kimioterapi. Kjo, ka thënë ai, ka ndikim negativisht në prognozën e përgjithshme të pacientëve, ndërsa raste të kësaj sëmundjeje po evidentohen edhe te gratë nga 40 deri në 50 vjeç, shumë prej të cilave janë pozitive për HPV. Ka shtuar se programi i vaksinimit ndaj HPV, i nisur nga Ministria e Shëndetësisë, pritet të japë rezultate më të mira pas një dekade.
Si faktor kryesor për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës identifikohet infeksioni me HPV, ndërsa faktorë të tjerë përfshijnë moslindjen, martesën e vonshme, ndërrimin e partnerëve, sëmundjet shoqëruese, ndikimet mjedisore, pirjen e duhanit, konsumimin e alkoolit dhe predispozitat gjenetike. Kurtishi ka bërë thirrje që gratë mbi 34 vjeç të kryejnë rregullisht PAP-testin, një ekzaminim i thjeshtë i qafës së mitrës, një herë në vit ose më shpesh sipas rekomandimit të mjekut, për të zbuluar hershëm ndryshimet patologjike.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se rritja e rasteve agresive lidhet me nivelin ende të pamjaftueshëm të edukimit shëndetësor dhe funksionimin jo të plotë të programeve kombëtare të skriningut. Sipas Kurtishit, “numri i rasteve të tilla këto dy-tri vitet e fundit është në rritje… dhe kjo tregon se edukimi shëndetësor i popullatës sonë akoma është në nivel jo të mjaftueshëm.”

