Një model i ri i inteligjencës artificiale (AI) i zhvilluar nga DeepMind i Google, i quajtur “AlphaGenome”, mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si shkencëtarët e kuptojnë ADN-në, “recetën e jetës” që ndërton dhe drejton trupin e njeriut.
Sipas studiuesve, “AlphaGenome” mund të ndihmojë në shpjegimin se pse ndryshime shumë të vogla në ADN rrisin rrezikun për sëmundje si tensioni i lartë i gjakut, demenca, obeziteti dhe kanceri, si dhe të përshpejtojë zbulimin e sëmundjeve të rralla gjenetike dhe zhvillimin e barnave të reja.
“Ne e shohim ‘AlphaGenome’ si një mjet për të kuptuar se çfarë bëjnë elementet funksionale të gjenomit, gjë që shpresojmë të përshpejtojë kuptimin tonë bazë të kodit të jetës”, ka thënë Natasha Latysheva, inxhiniere e studimeve në DeepMind.
ADN-ja e njeriut përbëhet nga rreth tre miliardë “simbole”, A, C, G dhe T.
Vetëm rreth 2 për qind e tyre janë gjene që prodhojnë proteina, ndërsa për 98 për qindëshin e mbetur, të njohur si “gjenomi i errët”, dihet pak për të, por luan rol të rëndësishëm në mënyrën se si përdoren gjenet dhe ku ndodhin shumë mutacione që lidhen me sëmundjet.
“AlphaGenome” mund të analizojë deri në një milion simbole ADN-je njëherësh dhe të parashikojë se si edhe ndryshimi i vetëm njërës mund të ndikojë në funksionimin e gjeneve, në aktivitetin e tyre apo në prodhimin e proteinave.
Latysheva ka thënë se modeli mund të ndihmojë në identifikimin e mutacioneve që shkaktojnë sëmundje dhe të shtojë “një pjesë tjetër të enigmës” në zbulimin e objektivave për barna të reja.
Në të ardhmen, ai mund të përdoret edhe në terapitë gjenetike dhe biologjinë sintetike.
Modeli është përshkruar në revistën shkencore Nature dhe është përdorur tashmë nga rreth 3,000 shkencëtarë në mbarë botën.
Doktori Gareth Hawkes nga Universiteti i Exeterit, i cili e përdor “AlphaGenome” për të studiuar obezitetin dhe diabetin, ka thënë se shumë variante gjenetike që lidhen me këto sëmundje ndodhen pikërisht në “gjenomin e errët”.
“’AlphaGenome’ nuk e ka zgjidhur plotësisht anën e errët të gjenomit, por është një hap i madh përpara. Jam vërtet i emocionuar”, ka thënë ai.
Edhe në fushën e kancerit, modeli po ndihmon në dallimin mes mutacioneve që nxisin sëmundjen dhe atyre që janë të parëndësishme për trajtimin.
Doktori, Robert Goldstone, nga Instituti Francis Crick e quajti “AlphaGenome” “moment kyç në inteligjencën artificiale gjenomike”, ndërsa profesori Ben Lehner nga Instituti Wellcome Sanger ka theksuar se, ani se modeli funksionon shumë mirë, “është ende larg të qenit i përsosur”.
“Jemi në fillimin e një epoke të re të progresit shkencor dhe AI do të mundësojë një sërë zbulimesh të reja”, ka thënë Pushmeet Kohli, zëvendëspresident i shkencës në Google DeepMind.
DeepMind ka fituar Çmimin Nobel për Kimi në vitin 2024 për “AlphaFold”, një tjetër model AI që parashikon strukturën tredimensionale të proteinave, dhe “AlphaGenome” shihet si hapi i radhës në transformimin e biologjisë dhe mjekësisë.

