Këngëtarja e mirënjohur, Nicki Minaj, ka riafirmuar publikisht mbështetjen e saj për presidentin amerikan Donald Trump, duke u vetëshpallur “fansja numër një” e tij, ndërsa një moment ku të dy shihen duke u mbajtur për dore është bërë viral në rrjete sociale.
Reperja dhe presidenti u fotografuan së bashku gjatë një aktiviteti në Departamentin Amerikan të Thesarit, të quajtur “Trump Accounts Summit”.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në platformën X, ku reagimet ishin të shumta dhe shpesh ironike.
“Nicki Minaj dhe Trump duke u mbajtur për dore nuk ishte në listën time të ngjarjeve për vitin 2026”, ka shkruar një përdorues.
Një tjetër komentonte se “Jo, Nicki Minaj duke u mbajtur për dore me Donald Trump, karriera e saj ka marrë fund”, ndërsa të tjerë shprehën habi me figura duke shkruar: “Nicki Minaj duke u mbajtur për dore me Donald Trump????”.
Gjatë aktivitetit, Trumpi e ka ftuar Minajn në skenë për të folur para të pranishmëve, duke bërë edhe një koment me humor për thonjtë e saj.
“I thashë vetes se do t’i lë thonjtë të rriten, sepse i dua shumë këta thonj. Do t’i lë të rriten”, ka thënë Trump.
Nga ana e saj, Minaj ka theksuar se kritikat dhe sulmet nuk ndikojnë aspak tek ajo.
“Urrejtja, ose çfarëdo që njerëzit thonë, nuk më prek fare”, u shpreh ajo.
Reperja ka sulmuar gjithashtu guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom.
“Oh jo, nuk dëshiron të bëjë ndryshim, absolutisht jo. Ai vetëm dëshiron të shihet. Nuk dëshiron të bëjë asgjë serioze me kohën apo jetën e tij”, ka thënë Minaj para publikut.
Duke folur më gjerësisht për politikën, ajo ka kritikuar disa politikanë.
“Janë thjesht politikanë që duan të bëhen të famshëm. Nuk u intereson nëse politikat e tyre funksionojnë pas dy muajsh apo dy minutash. Nuk u intereson të frymëzojnë brezin e ardhshëm. U intereson vetëm të marrin pushtetin”, ka thënë ajo.
Sipas Minaj, Trumpi është ndryshe.
“Ai është një qenie tjetër njerëzore. Ky është një president ndryshe, një lloj tjetër udhëheqësi. Ai është një biznesmen dhe një njeri autentik. Kur thotë se dëshiron të kontribuojë për diçka afatgjatë, edhe pasi të largohet nga zyra, ai e ka seriozisht”, ka thënë ajo.
Minaj ka shtuar se mbështetja për Trumpin vetëm sa është forcuar nga kritikat që ka marrë.
“Ndoshta jam fansja numër një e presidentit. Dhe kjo nuk do të ndryshojë. Urrejtja nuk ndikon aspak në mua. Përkundrazi, më motivon ta mbështes edhe më shumë”, ka thënë ylli.
Ajo ka vazhduar duke thënë se kjo do t’i motivojë mbështetësit e tij që ta përkrahin edhe më shumë.
“Nuk do t’i lejojmë të shpëtojnë duke bërë bullizim dhe fushata shpifjeje. Nuk do të funksionojë. Ai ka shumë forcë pas vetes dhe Zoti po e mbron. Amen”, ka thënë ajo.
Në të njëjtin aktivitet ka folur edhe Kevin O’Leary, i njohur nga emisioni “Shark Tank”, i cili ka falënderuar Trumpin në emër të sipërmarrësve amerikanë.
“Në emër të të gjithë sipërmarrësve në Amerikë, dua t’ju falënderoj, zoti president, sepse ne krijojmë 72 për qind të vendeve të punës. Na intereson politika pro-biznes dhe këto llogari janë fantastike për pavarësi dhe mbështetje”, ka thënë ai.
Trump ka prezantuar gjatë samitit të ashtuquajturat “Trump accounts”, një iniciativë e re që parashikon dhënien e 1.000 dollarëve për çdo fëmijë të lindur mes viteve 2025 dhe 2028, me kusht që prindërit të hapin një llogari investimi.
Paratë investohen në tregun e aksioneve dhe fëmija mund t’i përdorë kur mbush 18 vjeç.
Pas fjalimeve, Trump bëri shaka teksa Minaj dhe O’Leary u larguan nga skena.
“Një ndërprerje e vogël. Shumë më mirë sesa të sillnim Scott Bessentin këtu”, ka thënë ai.
Më vonë, Minaj dhe Trump publikuan edhe një video të përbashkët në TikTok, ku reperja e quajti Trumpin “presidenti më i mirë i të gjitha kohërave”, ndërsa Trump e shpalli atë “mbretëreshën e repit”.
Nicki Minaj, e njohur si “mbretëresha e repit” që nga debutimi i saj me albumin “Pink Friday” në vitin 2010, ka hyrë më thellë në politikë gjatë mandatit të dytë të Trumpit.
Ajo ka shprehur mbështetje edhe në rrjete sociale dhe është shfaqur së fundmi në konferencën AmericaFest të organizuar nga Turning Point USA, ku ka lavdëruar Trumpin dhe zëvendëspresidentin JD Vance.
Ani pse më parë ka mbështetur kandidatët demokratë, Minaj ka thënë se ka “respektin maksimal” për administratën republikane, të cilën e vlerëson për faktin se u jep njerëzve shpresë në kohë të vështira.
“Ata nuk e kanë humbur kontaktin me botën. Janë ende të lidhur me realitetin, me të rinjtë dhe të moshuarit, me njerëzit e pasur dhe ata më pak të pasur. Ata kanë aftësinë të lidhen me njerëzit dhe të na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi amerikanë”, ka thënë ajo.

