Botë Lajme

Kumtese zyrtare Diaspora e Veleshtës në Zvicër

Diaspora e Veleshtës në Zvicër, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, shpreh mbështetjen e saj të plotë për procesin e unifikimit të Koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik, si një hap i domosdoshëm drejt forcimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve.

Ky proces nuk shihet si një riorganizim formal, por si nevojë politike dhe kombëtare për të krijuar një zë të vetëm, të qartë dhe të përgjegjshëm, që i përfaqëson shqiptarët me dinjitet, vendosmëri dhe vizion afatgjatë. Shqiptarët kanë nevojë për një adresë politike të identifikueshme, ku përgjegjësia dhe meritat për arritjet të mos mbeten të shpërndara, por të mbartura nga një subjekt me identitet të qartë dhe drejtim të njësuar.

Diaspora e Veleshtës në Zvicër vlerëson se unifikimi i VLEN-it krijon kushtet për stabilitet politik, qartësi vendimmarrëse dhe forcim të rolit të shqiptarëve në proceset shtetërore. Një subjekt i bashkuar i jep fund fragmentarizimit, shmang paqartësitë dhe rrit besimin e qytetarëve në përfaqësimin politik.

Në këtë frymë, ne mbështesim një koncept politik që vendos në qendër interesin kombëtar, ruajtjen e vlerave familjare dhe kulturore, si dhe orientimin e qartë pro-perëndimor. Uniteti, përgjegjësia dhe përfaqësimi dinjitoz janë parime mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja politike e shqiptarëve.

Diaspora e Veleshtës në Zvicër u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë që vijnë nga kjo trevë, si dhe më gjerë, ta mbështesin këtë proces unifikimi dhe ta shohin atë si një mundësi historike për ndërtimin e një subjekti politik serioz, me besueshmëri dhe autoritet përfaqësues.

Diaspora e Veleshtës në Zvicër mbetet e angazhuar për ta përkrahur këtë rrugë me përgjegjësi, përkushtim dhe besim të plotë, në shërbim të një përfaqësimi më të fortë dhe më të drejtë të shqiptarëve./press7.tv

Diaspora e Veleshtës në Zvicër
07.01.2026

Exit mobile version