Kosovë Lajme

Ekskluzive | Arsenal armësh zbulohet në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq – konfiskohen AK-47, qindra fishekë e karikatorë

Një arsenal armësh është zbuluar nga Policia e Kosovës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Rvatska të Leposaviqit, gjatë një patrullimi rutinë të njësive policore.

Ngjarja ka ndodhur më 19 dhjetor 2025, rreth orës 22:07, kur njësitë e NJNSH-së kanë vërejtur se dera e një shtëpie të pabanuar ishte e hapur. Gjatë kontrollit fillestar në objekt, policia ka hasur në tri armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, çka ka nxitur reagimin e menjëhershëm të njësive hetimore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe krimteknika, ndërsa me urdhër të Prokurorit është realizuar kontrolli i plotë i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur dhe konfiskuar: 1 armë gjuetie (nr. serik A49808), 1 karabinë, 1 pushkë automatike AK-47, 5 karikatorë, 150 fishekë kalibri 7.62×39 mm, 85 fishekë kalibri 7.9 mm, 1 palë dylbi.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa për momentin nuk ka persona të dyshuar, pasi objekti rezulton të jetë i pabanuar.

Ndërsa, më 22 dhjetor 2025, gjatë vazhdimit të veprimeve hetimore dhe kërkimit për identifikimin e pronarit, policia ka hyrë sërish në objektin përcjellës të shtëpisë, ku janë gjetur edhe: 1 pushkë ajrore Crvena Zastava, Mekanizëm për barut, 1 thikë ushtarake, 1 futroll për revole.

Edhe këto mjete janë sekuestruar nga njësia e krimteknikës, ndërsa Prokurori ka urdhëruar që rasti të trajtohet si vazhdimësi hetimore.

Hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e personave përgjegjës janë në vazhdim.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/1171633728510217?ref=embed_post

Exit mobile version