Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot po qëndron në Shkup, ku u mirëprit nga udhëheqësi i koalicionit VLEN. Vizita u zhvillua në Ditën e Alfabetit, një nga datat më të rëndësishme për identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve.
Gjatë një dreke pune, palët diskutuan gjerësisht për zhvillimet politike në të dy vendet, për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërpartiak me Lëvizjen Vetëvendosje – një nga shtyllat kryesore të koalicionit VLEN.
Liderët përgëzuan njëri-tjetrin për sukseset respektive në zgjedhjet lokale, ndërsa drejtuesit e VLEN-it i uruan Vetëvendosjes fitore në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.
Pas takimit, delegacionet e VLEN-it dhe kryeministri Kurti u nisën së bashku drejt Manastirit, në qytetin simbol ku 117 vjet më parë rilindasit shqiptarë bashkuan alfabetin shqip. Vizita u realizua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Alfabetit.
“VLEN mbetet e vendosur për ruajtjen, zhvillimin dhe institucionalizimin e gjuhës shqipe, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, u tha gjatë takimit.
Në këtë ditë historike për kombin shqiptar, drejtuesit e VLEN-it dhe kryeministri Kurti adresuan urime për të gjithë shqiptarët, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit kulturor dhe gjuhësor. (koha.mk)

