Botë Kosovë Lajme

Kosovarëve u vidhen targat në Slloveni, Ambasada del me njoftim

Ambasada e Kosovës në Slloveni ka lëshuar lajmërim për kosovarët, targat e veturave të të cilëve u vodhën të shtunën gjatë ndeshjes Kosovë-Slloveni.

Në njoftim thuhet se të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë mbetur pa targa të veturave, të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin e tyre në vend.

Fillimisht u është kërkuar që rastet të paraqiten në Policinë e Sllovenisë.

Të shtunën kur u mbajt loja mes Kosovës dhe Sllovenisë është raportuar se disa prej atyre që udhëtuan me vetura, u janë marrë targat. Siç kanë raportuar disa qytetarë në adresën e Kohës, kjo ka ndodhur kryesisht për personat, veturat e të cilëve kanë qenë të parkuara rreth stadiumit.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë njofton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë mbetur mbrëmë pa targa të automjeteve që të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin në Kosovë. Nënkuptohet, rastet duhet të paraqiten fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë. Për informata shtesë ju lutemi kontaktoni linjën emergjente të Ambasadës në numrin: +386 31 465 221”, thuhet në njoftim.

KOHA ka dërguar pyetje në adresën e Policisë së Sllovenisë për të kuptuar më shumë rreth rastit dhe sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Kosova fitoi si mysafire ndaj Sllovenisë me rezultatin 2:0 dhe e siguroi plejofin e Botërorit 2026.

Exit mobile version