Botë Lajme

Dhuratat luksoze zbusin Trumpin, Zvicra fut në lojë biznesmenët për uljen e tarifave

Ministrat zviceranë ndodhen në Washington për bisedime që synojnë uljen e tarifave të larta prej 39% të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndaj eksporteve të Zvicrës në SHBA – norma më e lartë në Evropë.

Përpjekjet fillestare të presidentes zvicerane Karin Keller-Sutter për ta bindur Trumpin ranë në vesh të shurdhër. Por një vizitë e bërë më 4 nëntor nga drejtues biznesi duket se ia ka ndryshuar mendjen.

Një zyrtar i lartë i administratës i tha gazetarëve të enjten se bisedimet mes SHBA-së dhe ministrave zviceranë ishin “shumë pozitive” dhe “shumë të fokusuara”, duke shtuar se ata janë “shumë të vetëdijshëm” për deficitin e tyre tregtar me SHBA-në dhe janë të gatshëm ta trajtojnë atë.

Prej muajsh, zviceranët kanë tentuar të ulin këtë normë, e cila e ka goditur rëndë ekonominë e Zvicrës.

Përgjigja e Trumpit ndaj përpjekjes së presidentes zvicerane ishte se ajo “ishte një grua e mirë, por nuk donte të dëgjonte”.

Por nisma private e bizneseve javën e kaluar pati një qasje më pak konvencionale.

Shefat e industrisë zvicerane shkuan në Zyrën Ovale më 4 nëntor me dhurata, përfshirë një orë ari Rolex dhe një copë ari të gdhendur posaçërisht për të nga kompania zvicerane e rafinimit të arit “MKS”.

Qysh këtë javë, Trumpi ka deklaruar se po punohet për një marrëveshje për t’i ulur tarifat, por ka shtuar se nuk ka një numër se për sa do t’i ulë ato.

Disa figura biznesi, sidomos ata që tregtojnë produkte luksoze, ar ose mallra të tjera, tashmë kishin kontakte në rrethin e Trumpit.

Në shtator, Trumpi u shfaq në finalen e tenisit US Open në zonën VIP të Rolexit të drejtuar nga shefi ekzekutiv i kompanisë, Jean-Frederic Dufour.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, solli një ftesë nga Mbreti Charles për një vizitë shtetërore madhështore. Kancelari gjerman Friedrich Merz solli një kopje të kornizuar të certifikatës së lindjes së gjyshit gjerman të Trumpit.

Kërkesave për konfirmimin e dhuratave nuk u janë përgjigjur kompanitë.

Por disa ditë pas takimit, Trumpi u fotografua në Zyrën Ovale me atë që dukej qartë si një orë Rolex “Datejust”, e prodhuar nga kompania si një artikull koleksioni, dhe që vlen dhjetëra mijëra dollarë.
Presidenti amerikan merr mijëra dhurata çdo vit dhe ato më pas bëhen pronë e SHBA-së, depozitohen në Arkivin Kombëtar dhe regjistrohen çdo vit nga Departamenti i Shtetit.

Më vonë ato transferohen në një bibliotekë presidenciale. Disa dhurata mund të mbahen, por presidentët duhet të paguajnë taksa federale nëse dhuratat nuk vijnë nga një i afërm i ngushtë.

Në vitin 1969, presidenti Richard Nixon refuzoi me delikatesë një orë zvicerane Omega si dhuratë.

Çfarëdo që të ndodhë me dhuratat zvicerane, qëndrimi i Trumpit ndaj Zvicrës duket se po zbutet, duke u thënë gazetarëve se ai po punon diçka “për të ndihmuar Zvicrën”.

Ministri zviceran i Ekonomisë Guy Parmelin, dhe kryenegociatorja për tregtinë, Helene Budliger Artieda, të cilët udhëtuan drejt Washingtonit të mërkurën, janë më shpresëdhënës se sa kanë qenë prej muajsh, mes sugjerimeve se tarifa 39% mund të reduktohet në 15% – e njëjtë me atë të fqinjëve të Zvicrës në BE.

Në këmbim, premtime nga gjigantët farmaceutikë zviceranë për të ndërtuar më shumë fabrika prodhimi në SHBA tashmë janë në tavolinë. Gjithashtu raportohet se “Swiss International Airlines”, avionët e së cilës janë kryesisht nga Airbus, mund të kalojë drejt Boeingut.

Por a do të jetë kjo e mjaftueshme? Industria zvicerane po pret me padurim. Tarifave po u ndihen pasojat, me një numër kompanish zvicerane që paralajmërojnë se do të detyrohen të pushojnë nga puna punonjës nëse nuk ndryshon asgjë.

Zvicra ka edhe një figurë me ndikim shumë të lartë në të cilën mund të mbështetet.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, prej kohësh mik i Trumpit, raportohet se është nxitur nga disa parlamentarë zviceranë të përpiqet t’ia ndryshojë mendjen e presidentit.

Si pjesë e përgatitjeve për Kupën e Botës së vitit të ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë, Infantino vizitoi Zyrën Ovale në gusht duke mbajtur trofeun.

Teksa kamerat xhironin, ai ia dorëzoi atë Trumpit duke i thënë se ai ishte “një fitues”. Presidenti iu përgjigj duke pyetur “a mund ta mbaj? Është një copë e bukur ari”.

Infantino ka njoftuar gjithashtu një çmim të ri të FIFA-s për paqen në botë, i cili do të shpallet në Washington më 5 dhjetor.

Nuk dihet ende se kush mund ta marrë atë.

Exit mobile version